Futboll

Shaqiri e vlerëson Riberyn si lojtarin më të fortë

Shaqiri e vlerëson Riberyn si lojtarin më të fortë

Xherdan Shaqiri është duke shkëlqyer me fanellën e Baselit zviceran. 

Por në një intervistë dhënë për “La Gazzetta dello Sport”, 33-vjeçari nuk ka folur për të tashmen, por për të kaluarën, veçanërisht atë te Bayern Munichu. 

Shaqiri me Bayernin luajti nga viti 2012 deri në vitin 2015, ndërsa e ka përmendur bashkëlojtarin që e ka vlerësuar më të fortin. 

“Është e vështirë të përmend emra. Kam luajtur me kaq shumë lojtarë të fortë, të gjithë të ndryshëm dhe të pakrahasueshëm. Nëse do të duhej ta zgjidhja njërin, do të thosha Ribery”, ka thënë Shaqiri, shkruan mediumi italian të enjten. 

Shaqiri ka karrierë të pasur si futbollist, ndërsa ka luajtur me plot sukses edhe te Zvicra. Nga Përfaqësuesja e Zvicrës u pensionua pas 125 paraqitjeve. 

“Ribery ka luajtur në pozitën time dhe më ka impresionuar që nga seanca e parë stërvitore. Jashtë fushës, ai ishte i qetë dhe i buzëqeshur. Por, ka qenë i shkëlqyer në driblime dhe ka pasur shumë kualitet. Franck është njëri prej njerëzve më të mirë që e kam takuar në futboll”, ka deklaruar Shaqiri. 

Shaqiri ka pasur 81 paraqitje për Bayernin, ndërsa ka shënuar 17 gola dhe ka dhuruar 19 asistime. 
Në vitin 2015, ai u largua nga Munichu për tek Interi. Më pas ka luajtur edhe për Stoke Cityn, Liverpoolin dhe Lyonin, para se të transferohej te Chicago Fire. Prej vitit 2024, Shaqiri është pjesë e skuadrës së fëmijërisë, Baselit.