Futboll

Shaqiri dëshiron të ketë lider të ri në mbrojtje

Xherdan Shaqiri

Ndeshja e parë në kampionatin e ri për Baselin në Zvicër do të jetë mjaftë e vështirë. 

Në tri javët e ardhshme, kampioni i Zvicrës luan në udhëtim te St. Galleni e pret Grasshopperin dhe Young Boysin, e më pas luan në udhëtim te Lugano. Më 16 gusht e nis edhe mbrojtjen e trofeut të Kupës së Zvicrës. 

Trajneri i ri i skuadrës, Ludovic Magnin, ka thënë se Baseli do të sfidohet shumë në këto ballafaqime, ndërsa të enjten përkrah tij në konferencën për shtyp, ishte Xherdan Shaqiri. 

Shaqiri është i kënaqur me grupin në skuadër, por kërkon lider të ri në mbrojtje. 

Baseli në fund të muajit gusht do të luajë në plejofin për inkuadrim në ligën e Ligës së Kampionëve. Do të ishte hera e parë në tetë vjet, nëse Baseli e regjistron këtë sukses. 

“Liga e Kampionëve është krejtësisht ligë tjetër në krahasim me Superligën. Ne kemi skuadër të mirë, por do të na duhet të kemi më shumë eksperiencë”, është shprehur Shaqiri, që ishte lojtari më i mirë i skuadrës në edicionin e kaluar. 

Ai i pati 21 gola e 22 asistime në 39 ndeshje në ligë e në Kupë.