Selektori i Sllovenisë, Matjazh Kek, ka thënë se përfaqësuesja e tij do të ketë rol të madh në kualifikimet për Botërorin 2026.
Sllovenia është njëra prej kundërshtareve të Kosovës në Grupin B, ku bëjnë pjesë edhe Zvicra e Suedia.
“Në njërën anë grupi është i vështirë, por në anën tjetër më së shumti varet nga gjendja në të cilën do të jemi ne. Nëse do të jemi në nivelin që e synojmë, jam i sigurt që Sllovenia do të pyetet shumë në grup”, ka thënë selektori slloven, Kek.
Ai ka shtuar se në çdo cikël kualifikues Sllovenia futet me synimin për t’u kualifikuar.
“Shpresoj se do ta arrijmë këtë në kualifikimet e radhës. Por është e qartë se edhe përfaqësueset tjera kanë synime të ngjashme”, ka shtuar Kek.