Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Rrëfimi i veçantë i mbrojtësit Berisha

Liridon Berisha

Prapa numrit 5 të Vaduzit fshihet një tregim i jashtëzakonshëm. Liridon Berisha, fëmijë i prindërve emigrantë nga Kosova, ka biografi që zgjon kureshtje. Përfundoi shkollimin e mesëm herët, luajti në kategorinë e tretë me FC Bulach si 15-vjeçar në ekipin B të juniorëve, pastaj te klubi U17 në Zurich dhe vetëm një sezon më vonë, i shtoi edhe mbi 200 paraqitje në “Challenge League”. Ai studio për shumë vjet në drejtësi, ndërsa debutoi në Superligën e Zvicrës si 28-vjeçar.

“Nuk është profil i zakonshëm apo i përditshëm. Është rast i veçantë!”, ka shkruar “Blick” të shtunën për Berishën në një artikull të gjatë.

Në nëntor të vitit 2018, ekipi U21 i Zurichut barazoi 1:1 me AC Bellinzonan. Në fushë ishte Liridon Berisha, të cilin Zurichu nuk e llogariste për ekipin e parë. Ish-bashkëlojtari i tij, Lindrit Kamberi, kishte trajektore tjetër në karrierë. Kamberit iu besua në shkurtin e kaluar edhe shiriti i kapitenit.

“E lashë përkohësisht Zurichun dhe luajta për FC Seefeldin në kategorinë e tretë”, ka deklaruar Berisha për “Blick”.

Ai u kthye dhe nënshkroi kontratë me Zurichun, pas ardhjes së Ludovic Magninit, me të cilin Berisha kishte lidhje nga grupmosha U18.

“Pas disa javësh prova, nënshkrova kontratë. Lëvizja te Schaffhauseni nuk u bë në verën tjetër dhe qëndrova te Zurichu edhe për gjashtë muaj”, shtoi Berisha.

Kur u bë e qartë se Berisha nuk ka vend te Zurichu, ai i bëri vetes pyetje se a është sporti ende opsion për të, apo duhet ta ndjekë një “Plan B”.

Bruno Berner e solli atë te SC Kriensi në kategorinë e dytë, por ai ende kishte dyshime. Berisha u fokusua në studime, në drejtësi. Mbajti balancën duke luajtur futboll me ambicie, por ndoqi edhe një program të vështirë në Cyrih.

“Kam sakrifikuar për shumë vjet. Derisa tjerët shkonin në pushime pas sezonit, unë kisha sfida tjera. Duhej të performoja mirë në dy fusha. Në studime dhe në mbrëmje, në fushën e lojës. Askush nuk më pyeste nëse kisha energji. Dhe nëse nuk arrin ta menaxhosh, vendi jot ikën shpejtë”, kujton Berisha.

Berisha për një kohë luajti edhe te Neuchatel Xamaxi, ndërsa te Vaduzi është prej verës së vitit 2023.

Pas 228 ndeshjeve në kategorinë e dytë të futbollit zviceran dhe me diplomën  e masterit, Berisha e gjen veten në pozitë krejtësisht ndryshe – si titullar i padiskutueshëm në Superligë. Futbollisti i formuar në fushën e drejtësisë ka krijuar situatë të jashtëzakonshme për veten. Ai e vlerëson lirinë personale për ta arritur pasionin në nivel krejtësisht tjetër.

“Kënaqem në çdo ndeshje dhe jam i lumtur kur luajë futboll”, thotë Berisha.

Me Vaduzin e promovuar në Superligë, Berisha luan pikërisht kundër Zurichut të dielën nga ora 14:00.

“Mezi pres të luaj në stadiumin Letzigrund. Nuk ka ndjenja negative”, deklaroi Berisha.