Cristano Ronaldo ka thënë se është “shumë krenar” me djalin e tij të madh që bëri debutimin te përfaqësuesja U15 e Portugalisë, shkruan "BBC".
Cristiano Ronaldo Jr hyri në lojë në minutën e 54-t në fitoren 4:1 të Portugalisë U15 ndaj Japonisë në një turne në Kroaci, të martën. 14-vjeçari u përcoll nga afër nga gjyshja e tij, Dolores Aveiro, nëna e superyllit portugez.
Është raportuar që skautë nga Manchester Unitedi dhe skautë të shumë klubeve tjera evropiane ishin në mesin e shikuesve dhe përcollën Ronaldon e ri. Unitedi është klubi ku Cristiano Ronaldo ka shkruar histori.
Fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë shhkroi në “Instagram”: “Urimë për debutimin për Portugalinë djali im. Shumë krenar me ty”.
Rafael Cabral shënoi “hat-trick” për Portugalinë, para se Ronaldo Jr të aktivizohej.
Cristiano Ronaldo ka shënuar 136 gola për Portugalinë. 40-vjeçari mban rekordin për më së shumti gola në nivel përfaqësuesesh. Ai ishte kapiten i Portugalisë në Euro 2016, kur kjo përfaqësuese e fitoi trofeun e parë të madh. Ishte kapiten edhe në triumfin në Ligën e Kombeve në vitin 2019.
Ronaldo Jr është tek Al-Nassr në Arabi Saudite së bashku me babain e tij. Superylli luan për këtë skuadër që nga viti 2022. Ronaldo i ka edhe katër fëmijë të tjerë.
Portugalia U15 i ka edhe dy ndeshje tjera në turneun në Kroaci.
Ronaldo është prej më të mëdhenjëve në histori të futbollit. Po i afrohet shifrës së 1000 golave në karrierë.