Futboll

Ronaldo do të vendosë tjetër rekord në Botëror

Cristiano Ronaldo


Cristiano Ronaldo pritet të luajë në një tjetër Kampionat Botëror. 

Portugalia e siguroi biletën për turneun në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas fitores 9:1 të dielën ndaj Armenisë. 

Ronaldo mungoi në ndeshjen e zhvilluar në Porto për shkak të supsendimit – por pavarësisht mungesës së tij, Portugalia e siguroi Botërorin, që do të jetë i gjashti për superyllin portugez. 

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do të jetë 41-vjeçar në kohën kur turneu nis në qershor. Për Ronaldon do të jetë mundësi tjetër që ta fitojë trofeun që i mungon. 

Ai pritet të jetë pjesë e përfaqësueses që udhëhiqet nga Roberto Martinez, edhe pse Ronaldo mund të suspendohet pas kartonit të kuq që e mori të enjten mbrëma në humbjen 2:0 nga Irlanda.

Në Kupën e Botës 2026 pritet të paraqitet edhe rivali i tij i madh, Lionel Messi. 

Fituesja në fuqi e Botërorit, Argjentina, e ka siguruar po ashtu vendin në Botëror. 

Messi veçse është fitues i Botërorit. Ai triumfoi me Argjentinën në Katar, në vitin 2022. 

Ronaldos, i cili e ka fituar Kampionatin Evropian dhe dy herë titullin e Ligës së Kombeve me Portugalinë, i mungon trofeu i Botërorit. 

40-vjeçari në nivel ekipor ka pesë Liga të Kampionëve dhe tituj të ligave në Angli, Spanjë e Itali. 
Ronaldo në kualifikimet e Kampionatit Botëror është golashënuesi më i mirë me 41 gola.