Futboll

Rey Manaj, nga lojtar i fyer në hero të shqiptarëve

Rey Manaj

Ishte minuta e parë shtesë e pjesës së parë kur Rey Manaj humbi penallti në ndeshjen e 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë. Gjuajtja nuk ishte e keqe, por portieri i Serbisë u hodh në krahun e duhur. Ajo ndeshje përfundoi pa gola, ndërsa kritikat ishin të shumta për Manajn. Madje edhe fyerjet, disa në baza familjare.

E kanë lënduar Manajn ato fyerje.

Manaj sërish ishte protagonist të shtunën mbrëma. Dhe pikërisht në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Me gjuajtje të bukur dërgoi topin në rrjetë për fitoren 1:0 të Shqipërisë ndaj Serbisë në Leskovc. Vrapoi për të festuar me pasion dhe me dy duart e bëri figurën e shqiponjës dykrenare. Festa e gjithë lojtarëve të Shqipërisë ishte shumë e madhe.

Ndonëse 1:0, fitorja është madhështore. Prej më të mëdhave e kuqezinjve ndonjëherë. Festa e gjithë shqiptarëve, festa në çdo qytet ku ka shqiptarë e dëshmon këtë. 

Dhe Manaj, përnjëherë, nga lojtar i kritikuar e i fyer, u shndërrua në hero të të gjithë shqiptarëve. Goli i tij, festa e tij me shqiponjë, do të mbetet gjithnjë në kujtesë. 

Në fakt Rey Manaj gjithnjë ka dhënë më të mirën për Shqipërinë. Lufta për ngjyrat kuqezi nuk i ka munguar asnjëherë. Shpesh i kanë munguar golat, si sulmuesve të tjerë të Shqipërisë, por angazhimi asnjëherë. Ai ofron shumë prani fizike në fushë e po ashtu vrapon shumë.

Sylvinho i ka besuar dhe 28-vjeçari nga Lushnja e shpërbleu në momentin më të mirë. E shpërbleu duke siguruar festë për gjithë shqiptarët.

“Sot është një nga ditët më të bukura të jetës sime. Pas ndeshjes së parë ndaj Serbisë, disa komente nuk i meritoja. Kemi familje, motra, prindër, por duhet t’i harrojmë. Sot gjithë Shqipëria, gjithë Kosova janë krenarë për ndeshjen. Kemi lënë shpirtin në fushë. Kemi edhe dy ndeshje të tjera, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të bëjmë më të mirën për të shkuar në Botëror”, ka thënë Manaj pas fitores madhështore në Leskovc.

Rey Manaj

Ai ka thënë se nuk ka rëndësi se kush luajti, por që fitoi Shqipëria.

“Këto momente vijnë një herë në jetë, sidomos për futbollistët. Kemi luajtur para 11 vjetësh, tani i mundëm përsëri në shtëpinë e tyre. Futbolli ecën shpejt dhe këto momente duhet t’i shfrytëzojmë të gjithë dhe të kënaqemi”, ka shtuar Manaj.

Për festën me shqiponjë ai u ndëshkua me karton të verdhë. Por ka thënë se nuk e ka parë kartonin, duke konfirmuar se nuk  është aspak pishman për festën që e ka bërë.

Manaj tani i ka 43 ndeshje e dhjetë gola për Shqipërinë. Debutoi që më 16 nëntor të vitit 2015. Golin e parë e shënoi ndaj Moldavisë, në vitin 2019. Ka shënuar më pas në ndeshje ndaj Andorrës, Kazakistanit, Bjellorusisë, San Marinos, Azerbajxhanit. Dhe të shtunën mbrëma ndaj Serbisë, në njërën prej ndeshjeve më me vlerë për gjithë shqiptarët.

Shqipëria i ka edhe dy ndeshje deri në fund të eliminatoreve për Botëror. E ka në dorë fatin për ta siguruar pozitën e dytë në grup, që dërgon në barazh. Më 13 nëntor luan në udhëtim ndaj Andorrës, ndërsa më 16 nëntor në “Air Albania” e pret Anglinë.

Aktualisht i ka 11 pikë nga gjashtë ndeshje, në vendin e dytë. Serbia i ka shtatë pikë nga pesë ndeshje në vendin e tretë. Anglia është e pandalshme me 15 pikë nga pesë ndeshje. 

Vështirë se Anglia do të kalkulojë deri në fund të eliminatoreve. Por fati është që anglezët luajnë edhe me Serbinë. Madje e presin në “Wembley” më 13 nëntor. Dhe nëse Anglia fiton ndaj Serbisë dhe Shqipëria fiton në Andorrë, ndeshja Shqipëri – Angli do të jetë festive. Shqiptarët do ta festojnë kualifikimin në barazh, për herë të parë në histori, ndërsa anglezët kualifikimin e pritur në Botëror.