Tensionet e para në fushë, rezultati 0:0
Ka ardhur te tensioni i parë në fushë mes lojtarëve të Serbisë e Shqipërisë. Por arbitri ka kthyer shpejt qetësinë.
Rezultati pas 25 minutave lojë mbetet 0:0.
Thirrje anti-Kosovë në Leskovc
Tashmë kanë nisur thirrjet anti-Kosovë në ndeshjen Serbi – Shqipëri.
Janë dëgjuar thirrje “Kosova, Serbia” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.
Thirrjet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
15 minuta lojë, Shqipëria në mbrojtje
Në atmosferë kryesisht të qetë po luhet ndeshja mes Serbisë e Shqipërisë.
Tashmë janë luajtur 15 minuta, ndërsa rezultati mbetet 0:0. Serbia e ka iniciativën, por pa krijuar ndonjë rast të mirë shënimi.
Kuqezinjtë janë ndalur në mbrojtje.
Fishkëllehet himni shqiptar
Është fishkëllyer himni shqiptar para ndeshjes Serbi – Shqipëri.
Në stadiumin “Duboçica” në Leskovc nuk duket të ketë grupe të organizuara tifozësh.
— OvoOno (@OvoOnoX) October 11, 2025
Fishkëllima kur lojtarët e Shqipërisë dalin në fushë
Janë dëgjuar fishkëllima kur lojtarët e Shqipërisë dolën në fushën e stadiumit “Duboçica” në Leskovc.
Stadiumi ende po mbushet, ndërsa 20 për qind e kapacitetit të tij do të jetë i zbrazët. Pas njërës portë është vendosur një flamur i madh.
— Dečak iz kraja (@Virim_iz_coska) October 11, 2025
Atmosferë e zbehtë në Leskovc
Nuk ka shenja të ndonjë entuziazmi në Leskovc ku luhet ndeshja Serbi – Shqipëri.
Rreth një orë para fillimit të ndeshjes rrugës së Leskovcit shihen shikues të zakonshëm, por jo në numër të madh.

Serbët i frikësohen gjyqtarit Istvan Kovacs
Dueli mes Serbisë dhe Shqipërisë ka marrë vëmendje të madhe.
Vëmendje të madhe, mediumet serbe i kanë kushtuar edhe gjyqtarit të ndeshjes, Istvan Kovacs.
Kovacs është gjyqtar nga Rumania, ndërsa “Kurir.rs”, ka shkruar për siç thonë nga ky medium, “skandalet” në të kaluarën.
Kovacs ishte gjyqtar kryesor i finales së Championsit ndërmjet PSG-së dhe Interit këtë vit.
Ai ishte edhe gjyqtar kryesor i duelit final të Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit, si dhe i finales së Ligës së Evropës mes Atalantas dhe Bayer Leverkusenit.
“Kurir” ka shkruar se Kovacs e kishte referuar edhe ndeshjen mes Serbisë dhe Sllovenisë në Kampionatin Evropian në Gjermani.
“Në vitin 2018, rumuni ishte në qendër të skandalit pas ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Suedisë dhe Turqisë. Suedia fitoi falë penalltisë së Andreas Granqvistit në minutën e 71-të, ndërsa bashkëlojtari i tij Marcus Berg, pas ndeshjes kishte dhënë deklaratë që ngriti shumë pluhur”, ka shkruar fillimisht mediumi serb.
“Pas pjesës së parë shkova te gjyqtari për t’u ankuar se nuk na dha një penallti pas faullit në mua. Ai më shikoi dhe tha: Do ta shikoj edhe një herë situatën në dhomën e zhveshjes. Nëse kam bërë gabim, do t’u jap dy penallti në pjesën e dytë”, ka shkruar “Kurir” duke e kujtuar një deklaratë të Bergut në atë kohë.
Mediat serbe raportojnë edhe për një të arrestuar
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Prokuple e kanë arrestuar një shtetas të Italisë, 35-vjeçar, me inicialet E.E, pasi ka pasur veshur fanellë me mbishkrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shkruar “b92” të shtunën në mbrëmje.
Ku medium ka shkruar se të njëjtit i është gjetur edhe një çantë në bagazhin e makinës “Peugeot”, e në të fanella me ngjyrë të gjelbër e me shenjën e UÇK-së.
Sipas “b92”, E.E do të mbahet në paraburgim 48 orë dhe do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple për kallëzim penal.
Në Serbi të enjten raportuan se është arrestuar edhe një shqiptar 53-vjeçar, me inicialet D.P, në pikëkalimin e Merdarit.
Ndërkohë, “Sportklub” ka shkruar se policia, për të parandaluar shqiptarët për të hyrë në stadium, është duke ua kontrolluar telefonat secilit, për të parë nëse kanë fotografi me simbole shqiptare.
Formacioni i Shqipërisë ndaj Serbisë
Selektori i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, e ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Serbisë.
Ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Duboçica” në Leskovc dhe i takon Grupit K. Është e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në portë do të jetë Thomas Strakosha. Në repartin defensivë janë Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Elseid Hysaj.
Mesfusha përbëhet prej Qazim Laçit, Kristjan Asllanit dhe Juljan Shehut.
Sulmit i prijnë Armando Broja, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni.

Në Leskovc shumë policë, pak eufori tifozësh
Stadiumi i vogël në Leskovc do të jetë i mbushur me shikues për ndeshjen Serbi – Shqipëri.
Por ky qytet i vogël të shtunën ishte i qetë dhe sipas mediave serbe vazhdon të jetë i tillë.
Në rrugë ka forca të shumta të policisë, por jo ndonjë organizim tifozësh.
Masat e sigurisë janë të rrepta për ndeshje.