Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Festë shqiptare, shqiponjat fluturojnë në Leskovc

Rey Manaj

Rey Manaj ka shënuar supergol, ka festuar me shqiponjë dhe ka bërë që të festojnë gjithë shqiptarët nëpër botë.

Me golin e Manajt, Shqipëria ka shënuar njërën prej fitoreve më të mëdha në histori. E ka mposhtur Serbinë në Leskovc me rezultatin 1:0, për hapin e madh drejt plejofit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Ndeshja është luajtur në stadiumin e vogël të Leskovcit. Por festa shqiptare ishte e madhe.

Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, pas një goditje dënimi, topi erdhi tek Arlind Ajeti. Ai e huqi topin, por në një mënyrë asistoi për Manajn. Manaj goditi bukur dhe dërgoi topin në rrjetë. Vrapoi drejt bankës së rezervistëve të Shqipërisë, ndërsa festoi duke formuar figurën e shqiponjës dykrenare. Në festë iu bashkuan të gjithë lojtarët e trajnerët.

Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë, por edhe e gjithë ndeshja.

Shqipëria tani i ka 11 pikë në vendin e dytë të Grupit K të kualifikimeve për Botërorin 2026. Serbia mbetet në vendin e tretë me shtatë pikë, ndonëse ka një ndeshje më pak të luajtur. Fitorja në Leskovc do të thotë që Shqipëria është shumë afër vendit të dytë në grup, që siguron plejofin.

Ndeshja në Leskovc ishte vlerësuar finale për vendin e dytë. Presioni ishte i madh, por ai është menaxhuar më mirë nga kuqezinjtë. 

Në pjesën e parë në fushë kanë dominuar vendësit. Golin megjithatë e shënoi Shqipëria.

Ndërkohë në pjesën e dytë për kohë të gjatë kanë dominuar lojtarët e Shqipërisë. Në minutat e fundit serbët i kishin disa raste, por pa konkretizuar. Dhe festa e zjarrtë ishte e gjitha për shqiptarët.

Ka pasur thirrje “Kosova, Serbia” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Kur u shënua goli dhe kur u shfaq shqiponja Manaj, ka pasur thirrje edhe “mbyte, mbyte shqiptarin”.

Fyerjet janë dëgjuar shpesh, por vetëm sa kanë motivuar lojtarët e përzgjedhur nga Sylvinho. Ata do të hyjnë në histori si autorë të njërës prej fitoreve më të dashura për gjithë shqiptarët.

Mediat serbe raportojnë edhe për një të arrestuar

11 muaj më parë / 11 tet 2025 19:20
Serbi - Shqipëri

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Prokuple e kanë arrestuar një shtetas të Italisë, 35-vjeçar, me inicialet E.E, pasi ka pasur veshur fanellë me mbishkrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shkruar “b92” të shtunën në mbrëmje.

Ku medium ka shkruar se të njëjtit i është gjetur edhe një çantë në bagazhin e makinës “Peugeot”, e në të fanella me ngjyrë të gjelbër e me shenjën e UÇK-së.

Sipas “b92”, E.E do të mbahet në paraburgim 48 orë dhe do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple për kallëzim penal.

Në Serbi të enjten raportuan se është arrestuar edhe një shqiptar 53-vjeçar, me inicialet D.P, në pikëkalimin e Merdarit.

Ndërkohë, “Sportklub” ka shkruar se policia, për të parandaluar shqiptarët për të hyrë në stadium, është duke ua kontrolluar telefonat secilit, për të parë nëse kanë fotografi me simbole shqiptare.

Formacioni i Shqipërisë ndaj Serbisë

11 muaj më parë / 11 tet 2025 19:00
Shqipëria

Selektori i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, e ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Serbisë.

Ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Duboçica” në Leskovc dhe i takon Grupit K. Është e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Në portë do të jetë Thomas Strakosha. Në repartin defensivë janë Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Elseid Hysaj.

Mesfusha përbëhet prej Qazim Laçit, Kristjan Asllanit dhe Juljan Shehut.

Sulmit i prijnë Armando Broja, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni.

Në Leskovc shumë policë, pak eufori tifozësh

11 muaj më parë / 11 tet 2025 18:19
Leskovc

Stadiumi i vogël në Leskovc do të jetë i mbushur me shikues për ndeshjen Serbi – Shqipëri.

Por ky qytet i vogël të shtunën ishte i qetë dhe sipas mediave serbe vazhdon të jetë i tillë.

Në rrugë ka forca të shumta të policisë, por jo ndonjë organizim tifozësh.

Masat e sigurisë janë të rrepta për ndeshje.