Futboll

Rexhbeçaj: Të bashkuar mund të arrijmë çdo gjë, edhe Botërorin

Elvis Rexhbeçaj

Elvis Rexhbeçaj ka të drejtë kur thotë se Kosova është bërë e papërshtatshme në fushë për kundërshtarët. Dëshmi janë rezultatet në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, e po ashtu deklaratat nga kampi i Sllovakisë.

Pas rezultateve të mira në Grupin B, Kosova e siguroi plejofin për kualifikim në Botëror, ndërsa më 26 mars synon ta kalojë edhe Sllovakinë, me të cilën do të përballet në gjysmëfinale.

Rol kyç në rezultatet e Kosovës në kualifikime luajti mesfushori i Augsburgut, Rexhbeçaj. Për 28-vjeçarin ishte kampanja e parë kualifikuese për Kosovën.

“Ne e respektojmë çdo kundërshtar, por nuk kemi frikë nga askush. Sllovakia është e fortë në shtëpi. Ka fituar edhe ndaj Gjermanisë. Por edhe ne kemi treguar se mund t’i mposhtim përfaqësueset e mëdha në udhëtim. Po ashtu do të kemi shumë tifozë që do të na përkrahin në Bratislavë. Sa i përket Turqisë apo Rumanisë, nuk po mendojmë për to ende. Jemi të fokusuar në gjysmëfinale para se të shikojmë drejt finales. Të luajmë në shtëpi, në Prishtinë, natyrisht se do të ishte avantazh për ne”, ka deklaruar Rexhbeçaj të premten për KOHËN.

Mesfushori qendror shënoi gol në fitoren 2:0 ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 8 shtator. Për prizrenasin ishte goli i dytë me fanellën e Kosovës në 14 paraqitje.

Kosova me atë ndeshje nisi serinë e rezultateve pozitive, madje pa pranuar gol. Barazoi pa gola me Slloveninë, e mposhti Suedinë në udhëtim 1:0 dhe fitoi 2:0 po në udhëtim ndaj Sllovenisë. Në ndeshjen e fundit me Zvicrën barazoi 1:1. Nga Zvicra në Bazel e pësoi humbjen e vetme në këtë kampanjë kualifikuese, në ndeshjen hapëse, 4:0.

Këto rezultate bënë që Kosova të renditej e dyta me 11 pikë, tri më pak se Zvicra. Sllovenia dhe Suedia mbetën prapa me katër, respektivisht dy pikë.

Të enjten në shortin e tërhequr në Cyrih të Zvicrës, Kosova e mësoi kundërshtarin që vlerësohet i fortë, por jo i pakalueshëm. Këtë e di edhe Rexhbeçaj. 

“Nuk ka kundërshtar të lehtë në plejof. Kështu që nuk kam pasur ndonjë preferencë. Po ashtu mendoj se askush nuk dëshiron të luajë kundër nesh, kundër Kosovës, sepse të gjithë e dinë se çfarë skuadre jemi. E kemi treguar këtë tashmë. Kemi treguar se jemi të papërshtatshëm për secilin kundërshtar”, ka theksuar Rexhbeçaj.

Rexhbeçaj, që debutoi në qershor të vitit të kaluar, gol kishte shënuar edhe në fitoren 2:1 në Prishtinë ndaj Islandës, në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Kombeve. Ai debutoi nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.  Gjermani 59-vjeçar drejtimin e Kosovës e mori në shkurt të vitit të kaluar. Prej asaj kohe, Kosova ka 12 fitore, dy barazime e pesë humbje. Njëra humbje ishte me rezultat zyrtar ndaj Rumanisë. 

Rexhbeçaj thekson se rezultatet e mira të vitit të kaluar i kanë dhënë skuadrës shumë vetëbesim. Ndërkohë, humbja në Bazel, ishte mësim për të ardhmen.

“Ishte humbje e rëndë në Bazel, por ka qenë e rëndësishme për ne si ekip për të mësuar se gjërat nuk shkojnë gjithmonë mirë dhe humbje të tilla mund vijnë. Por ne qëndruam të fortë dhe e siguruam vendin e plejofit në një grup shumë të vështirë”.

Nëse Kosova e eliminon Sllovakinë në gjysmëfinale të plejofit për Botërorin që në verë do të organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, finalen e luan në “Fadil Vokrri”.

Finalja e plejofit luhet më 31 mars. Kundërshtare e Kosovës, nëse e kalon Sllovakinë, do të jenë Turqia apo Rumania, që luajnë në gjysmëfinalen tjetër.

Suksesi historik i arritur me grupin e fortë ka bërë që të gjithë ta ëndërrojnë Botërorin.

“Të gjithë besojnë në kualifikim dhe e ëndërrojnë atë. Bashkë si skuadër, dhe me gjithë shtetin prapa nesh, ne mund të arrijmë çdo gjë”, deklaroi Rexhbeçaj.

Rexhbeçaj në ekipin aktual të Kosovës vlerësohet njëri prej lojtarëve më me përvojë. Është zhvilluar në Gjermani, aty ku luan aktualisht. Në Bundesligë, me Wolfsburgun, Kolnin, Bochumin e tani me Augsburgun, i është afruar shifrës prej 200 ndeshjeve.

Ai në 195 paraqitje në Bundesligë ka 10 gola të shënuar e nëntë asistime.