Marcus Rashford shpreson që të mbetet te Barcelona edhe kur marrëveshja për huazim të mbarojë në fund të këtij edicioni.
Kartonin e sulmuesit anglez e ka Manchester Unitedi, por Barcelona e ka mundësinë që ta transferojë atë për 28 milionë funte.
Kjo shumë e parave është dukshëm më e ulët nga ajo që ka kërkuar më herët Unitedi nga klubet e tjera.
27-vjeçari Rashford ka kontratë me Unitedin deri në vitin 2028, por BBC ka shkruar të premten se ai nuk ka të ardhme te “djajtë e kuq” derisa Ruben Amorim të jetë trajner.
“Natyrisht”, ka thënë Rashford për “ESPN” kur u pyet nëse dëshiron të mbetet në Spanjë.
Rashfordi në pjesën e dytë të edicionit të kaluar ishte i huazuar tek Aston Villa. E gjeti formën nën drejtimin e trajnerit Unai Emery.
Rashfordi ka pesë gola në 12 ndeshje për Barcelonën. Të martën mbrëma i realizoi dy gola ndaj Olympiacosit në Ligën e Kampionëve.
Ai pritet të luajë në “El Clasicon” e parë kundër Real Madridit këtë vikend.