Futboll

Pronari i Baselit flet hapur për rikthimin e Granit Xhakës

Granit Xhaka

Pronari i Baselit, David Degen, ka zbulua nëse kanë nisur bisedimet për rikthimin e shpejtë të Granit Xhakës. 

Ai ka thënë se Graniti ka kontratë me Bayer Leverkusenin deri në vitin 2028. Reagimi i Degenit vjen një ditë pasi Granit Xhaka paralajmëroi kthimin te Baseli. Ai këtë e ka bërë të ditur të shtunën, në ditën kur nga futbolli aktiv u përshëndetet vëllai i madh i Granit, Taulant Xhaka. 

“Është një nder që ai e thotë këtë. Por ai ka kontratë der inë vitin 2028. Ne nuk e kemi menduar kurrë më parë këtë çështje. Graniti është lojtar shumë i mirë i Leverkusenit. Jemi të nderuar nga deklarata e tij, por unë nuk ndiej asnjë presion. Ne vazhdojmë rrugën tonë”, ka thënë Degen, shkruan të dielën gazeta zvicerane “20 Minuten”.

Edhe ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka thënë se është ëndërr të luajë sërish me Xhakën në një skuadër.

“Një rikthim i granit Xhakës do të ishte një ëndërr për shumë njerëz dhe sigurisht edhe për mua. Nuk e di se çfarë po planifikon menaxhmenti i Baselit. Por jam shumë i lumtur dhe i befasuar”, ka thënë Shaqiri.

Xhaka 32-vjeçar luajti nga viti 2009 deri në vitin 2012 për Baselin. Shaqiri për Baselin kishte luajtur nga viti 2010 deri në vitin 2012. U rikthye në gusht të vitit të kaluar.

Xhaka e Shaqiri luajtën rol të rëndësishëm edhe në sukseset e Zvicrës. Shaqiri u pensionua pas Evropianit 2024, kurse Xhaka vazhdon të jetë lider i përfaqësueses helvetike të futbollit. Ai është kapiten i Zvicrës.