Portieri i Kosovës, Amir Shaipi, nuk po kalon ditë të mira te skuadra zvicerane, Lugano. 25-vjeçari vazhdon të jetë portieri i parë i Luganos, por rrezikon që ta humbë vendin e startuesit.
Në xhiron e parë të edicionit të ri të Superligës së Zvicrës, Lugano u mposht 2:1 në shtëpi nga Thuni, skuadra e kthyer në elitë. Dhe Shaipi ishte prej më të dobëtëve.
Për këtë shkroi edhe gazeta e madhe zvicerane “Blick”, të enjten.
Shaipi është te Lugano prej vitit 2021. Më herët ka luajtur për Schaffhausenin. Ai te Kosova është portieri i dytë, pas Aro Muriqit. Por edhe Muriqi nuk ka kaluar ditët më të mira së fundi tek Ipswich Towni. Ka munguar gjatë për shkak të një lëndimi.
Lugano ka telashe të mëdha në mbrojtje aktualisht. Mbrojtësi i qendrës, Albian Hajdari, nuk u aktivizua në ndeshjen e parë, në pritje të transferimit në Premier League. West Ham Unitedi pritet të jetë skuadra e ardhshme e Hajdarit.
Dhe kur mbrojtja nuk është stabile, në pah del edhe forma jo e mirë e portierit. Në regjionin e Ticinos vlerësojnë se Shaipi ka ngelur. Ai startoi edhe të enjten në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Evropës ndaj Clujit rumun.
“Rrallë vendimtar, shpesh një portier plotësisht i zakonshëm, ndonjëherë duke bërë gabime që dëmtojnë ekipin”, ka shkruar “Corriere del Ticino” pas ndeshjes me Thunin.
Trajneri i Luganos, Mattia Croci-Torti, nuk e vë në dyshim performancën e Shaipit. Por Lugano po kërkon portier tjetër. Ndër të tjera edhe për faktin që portieri i dytë, Sebastian Osigwe, është larguar për në Bellinzona. Portieri që po kërkohet pritet të sfidojë Shaipin për vendin e titullarit.
Shaipi ka kontratë me Luganon deri në vitin 2027. Por, momentalisht nuk po i kalon ditët më të mira te kjo skuadër.