Humbja e Arsenalit në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2006 nga Barcelona ishte ndeshja e fundit e ish-futbollistit francez, Robert Pires, me klubin anglez.
Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsene Wenger, e kishte zëvendësuar Piresin me portierin Manuel Almunia pas vetëm 18 minutash lojë, për shkak të përjashtimit të hershëm të Jens Lehmannit.
Pires në një intervistë për “L’Equipe” pranoi se zëvendësimin e kishte përjetuar shumë rëndë dhe më pas ai vendosi që të largohej nga Arsenali.
“Në asnjë moment nuk mendoja se unë isha ai që do të zëvendësohesha. As që e shikova Wengerin kur vendosi që të më zëvendësoj. Unë mendoja që Wengeri do të duhej ta hiqte nga loja mikun tim Cesc Fabregasin, sepse unë mund të ndihmoja në sulm skuadrën. Kjo shkaktoi largimin tim nga Arsenali. Ishte një javë e tmerrshme për mua”, ka thënë Pires.
51-vjeçari Pires ishte pjesë e Arsenalit nga viti 2000 deri në vitin 2006. Ka pasur karrierë të madhe në futboll.