Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Përpjekjet që yllit të Botërorit t’i lejohet emri i famshëm në fanellë

Vozinha

Klubi kilian, Colo-Colo, po kërkon leje që portieri i ri, Vozinha, të përdorë nofkën e tij të futbollit në fanellë, kur të debutojë muajin e ardhshëm. Rregullat në shtetin e Amerikës së Jugut e ndalojnë këtë.

40-vjeçari u bë sensacion i Kupës së Botës, falë paraqitjeve impresive me Kepin e Gjelbër. Pas paraqitjeve me vendin e vogël afrikan dhe famën botërore në rrjetet sociale, Vozinha do të luajë për gjashtë muaj në klubin e njohur të Kilit, Colo-Colo.

Rregullat e ligës në Kili nuk lejojnë lojtarët të përdorin nofka në fanellat e tyre. Në fanella, sipas rregullave, lejohet vetëm mbiemri i babait apo i nënës. Mbiemrit mund t’i shtohen inicialet e emrit.

Rregullat e ndalojnë qartë përdorimin e nofkave në fanellë.

Por ka pasur përjashtime të mërpashme të lejuara nga autoritetet e futbollit në këtë vend. Colo-Colo shpreson se do t’i lejohet portierit veteran të përdorë nofkën Vozinha, me të cilën u bë i njohur në gjithë botën. Emri i tij i vërtetë është Josimar Jose Emora Dias. 

“Kemi këtë problem. Fola me drejtues të ligës dhe shenjat janë të mira. Ekziston një Këshill i Presidentëve, që është thirrur për një takim të premten. Kam folur me disa presidentë të klubeve të tjera dhe ata më kanë treguar qëndrimin e favorshëm që ai të luajë me emrin Vozinha, duke pasur parasysh se e bëri këtë në ngjarjen më të rëndësishme në botë”, ka thënë presidenti i Colo-Colo, Anibal Mosa.

Edhe Vozinhas i lejohet fanella e veçantë Futboll Vozinhas i lejohet fanella e veçantë

Nofka Vozinha do të thotë “gjyshe e vogël” në gjuhën portugeze. Portierit iu dha nga fëmijët më të mëdhenj, kur ai ishte i vogël dhe qante kur humbte ndeshjet e futbollit në rrugë. Vozinha kthehej në shtëpi te gjyshërit e tij me të cilët jetonte.

Marrëveshja me Colo-Colo është e vlefshme për gjashtë muaj, me mundësi të vazhdimit për një vit tjetër. 

Vozinha së fundi bëri karrierë në kategorinë e dytë portugeze. Ka luajtur edhe në klube në Angola, Qipro, Moldavi dhe Sllovaki. Dhe famën globale e arriti në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë.