Futboll

Pas titullit, Ramaj fiton edhe Kupën me Copenhagenin

Diant Ramaj

Pak ditë pasi e siguroi titullin në elitën e futbollit danez me Copenhagenin, portieri Diant Ramaj e ka siguruar edhe trofeun e Kupës së Danimarkës. Copenhageni me Ramajn në portë të enjten gjatë ditës, fitoi 3:0 ndaj Silkeborgut në finalen e zhvilluar në “MCH Arena” në Herning.

Ramaj e kompletoi ndeshjen, ndërsa bashkëlojtarët e tij të tria golat e fitores i shënuan në pjesën e parë.

Për Copenhagenin ishte trofeu i dhjetë i Kupës në histori, ndërsa për herë të gjashtë i ka fituar të dy trofetë brenda një sezoni, si atë të kampionatit ashtu edhe të Kupës daneze.

23-vjeçari Ramaj në shkurt të këtij viti iu bashkua Borussia Dortmundit nga Ajaxi për pesë milionë euro, por u huazua menjëherë te klubi i madh nga Danimarka. Ai do të kthehet te skuadra e Bundesligës gjermane në fund të qershorit.