Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një ceremoni të organizuar të mërkurën në Prishtinë, Infantino ka marrë Medaljen e Nderit.
Infantino ka thënë se është i nderuar dhe i lumtur për dekoratën. “Është nder i madh dhe kënaqësi e madh, emocion i madh e lumturi e madhe që të jem këtu në shtëpinë time, në Kosovë”, ka thënë fillimisht ai. “Dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova. Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit... por siç e dimë të gjithë futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që është kryeqyteti i botës”.
Ai ia ka dedikuar medaljen legjendës kosovare të futbollit, Fadil Vokrri.
“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder e mirënjohje Fadil Vokrrit. Dhe të gjithë popullit të Kosovës në Kosovë e jashtë saj”, ka thënë ai duke shpjeguar për takimet që ka pasur me legjendën kosovare të futbollit.



