Futboll

Nga yjet te supertalentet – lojtarët që duhen shikuar në Champions

Futboll

Me format të ri, me më shumë skuadra e më shumë ndeshje. Liga e Kampionëve fillon të martën, kur janë gjashtë ndeshjet e para. Gjashtë ndeshje të tjera janë të mërkurën, e për herë të parë do të ketë ndeshje të Championsit edhe të enjten. Do të luhen po ashtu gjashtë ndeshje.

Faza grupore është zëvendësuar me fazën e ligës, ku garojnë të gjitha 36 skuadrat. Kjo mundëson që në secilën mbrëmje të ketë ndeshje interesante dhe të skuadrave të mëdha.

Dhe natyrisht do të ketë lojtarë të mëdhenj.

BBC-ja ka përzgjedhur 25 lojtarët që duhen shikuar në edicionin e ri të Championsit. Por mediumi britanik nuk i ka përfshirë në këtë listë lojtarët e Premier Leagues.

Synimi i madh i Mbappes

Sulmuesi francez, Kylian Mbappe, është dy gola larg që ta zërë vend në mesin e dhjetë golashënuesve më të mirë të Kupës Evropiane. Por Mbappe nuk e ka fituar ende trofeun më të rëndësishëm evropian.

Transferimi i tij nga PSG-ja te Real Madridi nënkupton se kjo mund të ndodhë këtë edicion. Pikërisht për ta fituar Championsin, superylli zgjodhi Madridin.

Jude Bellingham i Real Madridit është tjetër lojtar i Madridit që duhet përcjellë, sipas BBC-së. Në listë është supertalenti i Barcelonës, 17-vjeçari, Lamine Yamal, e po ashtu Dani Olmo, mesfushori spanjoll i Barçës. Olmo nisi furishëm te Barcelona, por u lëndua të dielën. Pritet të jetë jashtë fushës për një muaj, por shkëlqimi i tij në Champions nuk pritet të mungojë.

Harry Kane, sulmuesi anglez i Bayernit nuk ka se si të mungojë në këtë listë.

Prej Bayernit është përzgjedhur edhe Michael Olise, lojtari 22-vjeçar i krahut. I lindur në Londër, Olise, më herët këtë muaj debutoi te Franca.

Xavi Simons pritet të shkëlqejë me Leipzigun, kurse te kjo skuadër vëmendja do të jetë edhe te Antonio Nusa, norvegjezi 19-vjeçar.

“Supertalenti i fundit nga Norvegjia, Nusa, iu bashkua Leipzigut nga Club Brugge në verë. Ai ishte kërkuar edhe nga Chelsea, Tottenhami e Brentfordi. Ai tashmë i ka dy gola për klubin gjerman”, ka shkruar BBC.

Yjet e Atletico Madridit

Sa i takon Atletico Madridit, vëmendja duhet të jetë te Julian Alvarezi dhe Conor Gallagheri.

Argjentinasi Alvarez e ka fituar trofeun e Championsit me Manchester Cityn, ndërsa i ka tetë gola në garën elitare evropiane. Por për herë të parë do të jetë kryesori në ekip. Atletico pagoi shumë për Alvarezin dhe pret gola e paraqitje impresive prej tij.

Joao Neves e Desire Ndou janë talentet e Paris Saint-Germainit që duhen përcjellë në Champions, sipas BBC-së.

Te Sportingu u veçua suedezi Viktor Gyokeres, ndërsa tek Atalanta, Ademola Lookman.

Gomes, Sudakov...

Te Lille, sipas mediumit anglez, vëmendja do të jetë tek Angel Gomes. Georgi Sudakov pritet të jetë kryesori te Shakhtar Donetsku, ndërsa Arne Engels te Celticu skocez.

Florian Wirtz e Jeremie Frimpong janë lojtarët e Bayer Leverkusenit që duhet të përcillen me vëmendje, ndërsa te Dinamo Zagrebi është Martin Baturina.

Lista vazhdon me Serhou Guirassyn e Borussia Dortmundit, Anatoliy Trubinin e Benficas, Bobby Clarkun e Salzburgut, Kenan Yildizin e Juventusit dhe Johan Bakayokon e PSV-së.

Stinori në Champions është i gjatë dhe shumë e shumë emra do të dalin në skenë. Natyrisht do të ketë edhe prej këtyre që janë përzgjedhur e që do të dështojnë të lënë gjurmë.