Xhiroja e 17-të e Premier Leagues angleze, që zhvillohet në fundjavë, do të ofrojë ndeshje interesante.
Gara për titullin e kampionit dhe për pozitat që dërgojnë në Champions në edicionin e ardhshëm, vazhdon të jetë e fortë.
Një prej ndeshjeve interesante është ajo ndërmjet Tottenham Hotspurit dhe Liverpoolit. Zhvillohet të shtunën nga ora 18:30.
Të dyja skuadrat kanë mungesë të formës konstante këtë edicion.
Tottenhami ka tri disfata në pesë ndeshjet e fundit. Ka 22 pikë dhe e zë vendin e 11-të. Ndërsa Liverpooli numëron 26 pikë dhe renditet në pozitën e shtatë.
Së fundi ka pasur pakënaqësi brenda skuadrës së Liverpoolit. Ylli i skuadrës, Mohamed Salah ka dhënë kritika për trajnerin holandez, Arne Slot, por edhe ndaj klubit. Salah tashmë i është bashkuar Egjiptit për Kupën e Afrikës.
“Të Kuqtë” në pesë ndeshjet e fundit në kampionat kanë dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Liverpooli është kampion në fuqi i Anglisë.
Tottenhami ka fituar vetëm dy nga 25 ndeshjet e fundit në Premier League kundër Liverpoolit.
Skuadra e Thomas Frankut, Tottenhami, nuk është duke treguar formë të mirë në ndeshjet si vendas.
Tjetër takim me rëndësi është ai ndërmjet Aston Villas dhe Manchester Unitedit, që zhvillohet të dielën nga ora 17:30.
Villa ka 33 pikë dhe e zë vendin e tretë. Është duke kaluar formë të mirë. Ka nëntë fitore rresht në të gjitha garat. Ndërsa Unitedi ka dy barazime, dy fitore dhe një humbje në pesë ndeshjet e fundit në elitë.
“Djajtë e Kuq” kanë 26 pikë dhe renditen në pozitën e gjashtë.
Villa nuk ka fituar në pesë ndeshjet e fundit ndaj Unitedit në kampionat. Skuadra e Ruben Amorimit, Unitedi, ka katër fitore dhe një barazim.
Lider pas 16 xhirove të zhvilluara është Arsenali me 36 pikë. Arsenali të shtunën nga ora 21:00 luan në udhëtim tek Evertoni.
Evertoni ka 24 pikë dhe e zë vendin e nëntë. Në pozitën e dytë është Manchester City me 34 pikë.
City luan po ashtu të shtunën, por nga ora 16:00 dhe e pret West Ham Unitedin. West Ham Unitedi e zë vendin e 18-të me 13 pikë.