Xhiroja e 15-të e Premier Leagues hapet me ndeshjen ndërmjet Aston Villas dhe Arsenalit. Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 13:30 në “Villa Park”.
Vlerësohet prej ndeshjeve më interesante të fundjavës në elitën e futbollit anglez. Luajnë dy skuadra që janë në formë të mirë.
Arsenali është lider me 33 pikë. Manchester City është një pozitë më poshtë me 28 pikë. Aston Villa ka 27 në vendin e tretë.
Villa të mërkurën në kuadër të javës së 14-të, edhe pse ishte në disavantazh prej dy golave, arriti që ta fitojë ndeshjen dramatike në udhëtim te Brightoni me rezultatin 4:3. Në ditën e njëjtë “Topçinjtë” e mposhtën Brentfordin në shtëpi me rezultatin 2:0.
Arsenali nuk di për humbje në 18 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ka 15 fitore dhe tri barazime.
Në moment të mirë është edhe Aston Villa që ka gjashtë fitore radhazi.
Skuadra që drejtohet nga trajneri Mikel Arteta, Arsenali, ka kohë që nuk e ka fituar titullin në Angli. Tifozët e klubit londinez së fundi titullin e festuan në edicionin 2003/2004.
Arsenali ka fituar gjashtë nga nëntë ndeshjet e fundit në “Villa Park”. Ndërkohë ka humbur vetëm një nga 21 ndeshjet e fundit në udhëtim në Premier League.
Në Premier League do të jenë edhe disa ballafaqime të tjera interesante.
Granit Xhaka me Sunderlandin të shtunën nga ora 16:00 luajnë në udhëtim te Manchester City.
Sunderlandi të mërkurën fitoi një pikë të madhe ndaj kampionit në fuqi, Liverpoolit. Ndeshja e zhvilluar në “Anfield” përfundoi 1:1.
Sunderlandi ka impresionuar me paraqitje këtë edicion. Ka 23 pikë dhe e zë vendin e gjashtë.
Të shtunën nga ora 18:30 luan edhe Liverpooli, në udhëtim te Leeds Unitedi.
“Të kuqtë” kanë 22 pikë në vendin e nëntë, kurse Leeds Unitedi ka 14 pikë në pozitën e 17-të.
Xhiroja e 15-të mbyllet të hënën me duelin që fillon nga ora 21:00 dhe zhvillohet mes Wolverhamptonit dhe Manchester Unitedit.