Futboll

Mitaj me Al-Ittihadin e fitojnë Kupën e Mbretit

Mario Mitaj

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Mario Mitaj, me skuadrën e Al-Ittihadit e kanë fituar Kupën e Mbretit të Arabisë Saudite.

Al-Ittihadi të premten mbrëma në finale e mposhti Al-Qadisiyan me rezultatin 3:1.

Karim Benzema e kaloi në epërsi Al-Ittihadin në minutën e 34-t. Nëntë minuta më pas, Houssem Aouar, realizoi për 2:0.

Pierre-Emerick Aubameyang në minutën e gjashtë shtesë të pjesës së parë e ngushtoi rezultatin në 2:1.

Benzema e realizoi golin e fundit në minutën e 94-t.

Al-Qadisiya nga minuta e 81-të mbeti me një futbollist më pak në fushë pasi Ezequiel Fernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

Mitaj e kompletoi ndeshjen dhe ishte prej më të mirëve te skuadra e tij.

Ky ishte edhe trofeu i dhjetë për Al-Ittihadin.

Al-Ittihadi e ka fituar edhe titullin e kampionit në elitën e futbollit arab.