Futboll

Milot Rashica flet për të ardhmen dhe synimin me Kosovën

Milot Rashica

Pas disa lëndimeve, që kishte nga fundi i vitit të kaluar, Milot Rashica bëri kthim të fuqishëm në janar.

Sulmuesi i krahut shënoi për Beshiktashin dy gola dhe kontribuoi me katër asistime në ndeshjet e Superligës së Turqisë.

Dy gola e një asistim Rashica i pati edhe në Ligën e Evropës. Dy asistim pati edhe për Kupë të Turqisë. Edicionin 2024/2025 me fanellën e Beshiktashit e mbylli me pesë gola e 12 asistime.

Të tjera gola e asistime premton në të ardhmen për Beshiktashin. Ai thotë se nuk do të largohet nga Stambolli, pavarësisht raportimeve se do të largohet gjatë verës. Për Rashicën është raportuar se interesim kanë shprehur disa skuadra turke, e po ashtu edhe Werder Bremeni. Por, Rashica insiston se do të mbetet pjesë e Beshiktashit.

““Kam edhe dy vjet kontratë në Beshiktash. Për momentin jam rehat aty. Kështu që,  nuk ka diçka”, ka thënë Rashica për KOHËN.

Ai të mërkurën mbrëma luajti ndeshjen e parë pas lëndimit. Bashkë me Zhegrovën dhe disa lojtarë të tjerë të Kosovës, luajtën në ndeshjen e “Yjeve”, të organizuar nga Komuna e Prishtinës për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës. Ndeshja rivale përfundoi 6:6.

Rashica e lëshonte herë pas here fushën, ndërsa Zhegrova luajti për 60 minuta, sa edhe zgjati ndeshja, që kishte karakter bamirës.

Bashkë me Zhegrovën i kanë përcjellë nga afër ndeshjet miqësore, që Kosova i luajti kundër Armenisë dhe Komoreve. Asnjëri nuk ishte i grumbulluar. Kosova i fitoi të dyja ndeshjet. 5:2 e mposhti Armeninë, kurse Komoret me rezultat 4:2.

“Besoj që kanë pasur në përgjithësi paraqitje pozitive dhe kemi bërë lojë të mirë. Ka shumë momente të mira, që mundemi t’i përdorim për të ardhmen dhe normal që kemi lojtarë jashtëzakonisht të mirë dhe konkurrenca na bën gjithmonë edhe më të fortë. Besoj se jemi në rrugën e duhur. Shpresoj që të vazhdojmë kështu”, është shprehur Rashica.

Pas kthimit nga lëndimi i dytë, Rashica kontribut dha edhe për Kosovën. Ai asistoi në fitoren historike të Kosovës 3:1 ndaj Islandës, në ndeshjen kthyese të plejofit të Ligës së Kombeve. Me fitoret ndaj Islandës, Kosova e siguroi për herë të parë paraqitjen për edicionin e ardhshëm në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë rrugën drejt Botërorit 2026 kundër Zvicrës më 5 shtator. Më 8 shtator në Prishtinë e pret Suedinë. Pjesë e grupit B është edhe Sllovenia. Do të jetë kampanja e nëntë për Kosovën pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Rashica insiston se Kosova i ka gjasat e saj.

“Nuk do të jenë ndeshje të lehta. Të gjithë e dimë se do të jenë ndeshje shumë të vështira. Por, shanset janë aty për të gjitha ekipet në atë grup. Duke e parë ecurinë dhe vazhdimësinë që e kemi pasur në ndeshjet e fundit, besoj që gjasat janë të mëdha për të fituar dhe shpresoj që të gjithë së bashku ta arrijmë kualifikimin”, ka thënë Rashica.

Rashica është prej lojtarëve kryesorë te Kosova. Në përfaqësuese ka shënuar 12 gola në 61 ndeshje.

Rashica është njëri prej gjashtë lojtarëve nga ekipi aktual i “Dardanëve”, që nuk i kanë munguar Kosovës asnjë cikël kualifikues apo fazë grupore të organizuar nga UEFA dhe FIFA, përfshirë kualifikimet e Kupës së Botës, Evropianit dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.