Në këtë fundjavë, kampionati elitar i Francës do ta zhvillojë xhiron e fundit për këtë vit.
Kampioni në fuqi i Francës dhe Evropës, Paris Saint-Germaini, do të luajë të shtunën nga ora 19:00 në udhëtim te Metzi.
Ballafaqimi i takon xhiros së 16-të.
Për trajnerin Luis Enrique, synim është që viti të mbyllet pa lëndime tjera.
PSG-ja në mesjavë ndaj Athletic Bilbaos në udhëtim në Ligën e Kampionëve, ishte pa lojtarët kryesorë të sulmit, Ousmane Dembele dhe Desire Doue.
Munguan edhe Lucas Chevalier, Achraf Hakimi dhe Lucas Beraldo.
Dembele pritet të ketë minuta në fundjavë, pasi fituesi i “Topit të Artë” është kthyer në stërvitje të premten.
Dembele ka shënuar tri gola dhe ka dhuruar po aq asistime në 487 minutat e këtij edicioni.
Metzi i ka humbur 14 ndeshjet e fundit në ligë nga PSG-ja, ndërsa do të bëhej vetëm ekipi i dytë në Francë që i humb 15 ndeshje rresht në elitën franceze ndaj parisienëve. 17 humbje rresht nga PSG-ja, i ka pësuar Angersi.
PSG-ja është e dyta me 33 pikë, një më pak se lideri Lensi.
Lensi të dielën nga ora 17:15 në shtëpi e pret Nicen.