Superylli, Lionel Messi, njoftoi të hënën për tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar. Në një postim në “Instagram”, që paraqiste një shkrim me dorë në fletore, Messi konfirmoi se po tërhiqet nga përfaqësuesja e Argjentinës.
Në një fusnotë në fund, ai shtoi: “I shkrova këto fjalë më 21 korrik, dy ditë pas finales. Sot, pas asaj që ndodhi me babain tim, jam edhe më i bindur se më parë”.
Babai i Messit, Jorge Messi, vdiq më 8 gusht në një spital në qytetin Rosario të Argjentinës. Ai ishte 68 vjeçar.
Tërheqja e Messit i jep fund një periudhe të jashtëzakonshme të Argjentinës. Ai largohet si kampion bote nga përfaqësuesja. Në Botërorin 2026, Argjentina pësoi në finale nga Spanja.
“Pas kohës së kaluar që nga finalja, dhe pasi e kam menduar shumë, dua t’ua bëj të ditur të gjithëve se po tërhiqem nga përfaqësuesja e Argjentinës... Ishte një vendim që më dhembi – dhe ende më dhemb thellë – por e kuptoj se ka ardhur koha. Ju betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka – jo vetëm në këto vjetët e fundit kur fituam gjithçka, por edhe para kësaj. Gjithmonë kam luftuar dhe kam lënë gjithçka në fushë për këtë fanellë, për t’iu sjellë gëzim dhe përmes futbollit t’iu bëjë krenarë që jeni argjentinas”, shkruan në postim e Messit.
Edhe
Në Argjentinë, po flasin për “vallëzimin e fundit” të Messit
Në nivel klubesh ai është pjesë e Inter Miamit në MLS të SHBA-së. E vazhdoi karrierën në SHBA pasi shkroi histori me Barcelonën dhe luajti me sukses edhe për PSG-në.
Messi tërhiqet nga Argjentina në moshën 39-vjeçare. Ka luajtur për përfaqësuese plot 207 ndeshje dhe i ka realizuar 125 gola.
Kulmi i tij me Argjentinën mbetet Kupa e Botës 2022. Ka fituar edhe dy trofe të Copa America, në vitin 2021 dhe 2024.
“Koha po mbaron, kapitujt po mbyllen dhe kjo është ajo që më dhemb thellë. Dua, kam dashur dhe do të dua gjithmonë të jem pjesë e ekipit kombëtar. Kam dhënë gjithçka që kisha. Nuk kam më asgjë për të dhënë dhe përveç kësaj, janë disa lojtarë të shkëlqyer që po vijnë dhe meritojnë të jenë këtu”, ka shkruar tutje superylli i futbollit.
Ai ka falënderuar tifozët argjentinas. Në fakt jo gjithnjë Messi ka pasur përkrahjen e madhe të argjentinasve. Në fillim të karrierës ndërkombëtare ka pasur telashe për të arritur suksese dhe madje ishte tërhequr për një kohë në vitin 2016, pas dështimit në tri finale rresht. Por vendosi të kthehej dhe më pas shkroi histori.
“Faleminderit për gjithë dashurinë gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit. Do të më mungoj shumë t’iu dëgjoj nga fusha. Tani do të jem vetëm një prej jush, duke brohoritur dhe mbështetur nga jashtë, në kohërat e mira dhe të këqija – veçanërisht në të këqija. Faleminderit familjes sime që ka qenë gjithmonë aty, që më shoqëroi në këtë udhëtim kaq të bukur, por edhe kaq të vështirë. Faleminderit çdo trajneri, shoku skuadre dhe zyrtari me të cilin kam ndarë këtë rrugë. Marr me vete kujtime dhe momente të paharrueshme”.
Messi ka shkruar se largohet me qetësinë shpirtërore dhe krenarinë që bashkë me shokët e skuadrës ua ka dhënë argjentinasve. Ka shkruar se këto momente dikur vetëm i ëndërronin.
Edhe
Emocione dhe lot në ndeshjen përshëndetëse të Messit me Argjentinën
“Ishte një përvojë e jashtëzakonshme ta përjetoja bashkë me gjithë ju. Ju dua. Faleminderit Zot që më bëre argjentinas. Përpara Argjentinë!”.
Ai mban rekordin për më së shumti ndeshje dhe më së shumti gola për Argjentinën. Për shumë njerëz nëpër botë, është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave.
