Sllovakia do të jetë kundërshtarja e Kosovës në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.
Qëkur u tërhoq shorti, të enjten, mediumet sllovake kanë publikuar numër të madh të shkrimeve që lidhen me “Dardanët”. Të premten mediumi “Sportovy” i ka pyetur ish-selektorët e Sllovakisë për shortin që u tërhoq në Cyrih të Zvicrës.
Dushan Galis, Jan Kocian, Shtefan Tarkoviç dhe Milan Leshicky në të kaluarën e kanë drejtuar Sllovakinë në periudha të ndryshme. Edhe mendimet kanë qenë të tilla në lidhje për Kosovën. Por të gjithë ata vlerësojnë se Sllovakia e ka përparësinë.
Kosova bashkë me Shqipërinë, Republikën e Irlandës dhe Bosnjë-Hercegovinën ishin në vazon e tretë për short. Në vazon e dytë ishin Polonia, Uellsi, Republika e Çekisë dhe Sllovakia.
“Faleminderit Zotit për këtë short. Kosova ishte kundërshtarja më e pranueshme nga të gjitha që ne kemi mundur t’i kemi përballë”, ka thënë 75-vjeçari Galis, që humbi 5:1 dhe barazoi 1:1 në plejofin për Botërorin 2006 me Spanjën.
Kosova ka shënuar rritje të madhe në këtë vit duke u promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe duke përfunduar në vendin e dytë në grupin shumë të vështirë me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë. Kosova tani në renditjen e FIFA-s zë vendin e 80-të, edhe ky një tjetër sukses historik për “Dardanët”.
“Kosova është kundërshtare e pakëndshme. Kur flasim veçanërisht për Kosovën, ajo ka përfunduar në grup prapa Zvicrës dhe humbi vetëm nga ajo. Ka kualitet te kosovarët. Përzgjedhësi gjerman Franco Foda ka përvojë. Janë përmirësuar shumë në vitet e fundit kështu që nuk na pret asgjë e lehtë”, ka theksuar Jam Kocian 67-vjeçar, që te Sllovakia punoi prej vitit 2006 deri në vitin 2008. Ai erdhi në vend të Galisit.
Shtefan Tarkoviç 52-vjeçar punoi në dy periudha te Sllovakia. E kualifikoi Sllovakinë në “Euro 2020”, pasi e fitoi plejofin me Irlandën e Veriut. Edhe ai nuk mendon se Kosova është më e dobëta.
“Pritshmëritë janë të larta por e kam parë Kosovën si ka luajtur në disa ndeshje dhe ka futboll të papërshtatshëm. Në letër ne mund t’ia dalim, është kundërshtare e pranueshme”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërkohë, për 80-vjeçarin Milan Leshicky, në plejof nuk ka kundërshtar të lehtë.
Ai ishte te Sllovakia U21 nga viti 1993 deri në vitin 1997.
“Të gjitha kanë kualitetet e tyre. Kjo vlen edhe për Kosovën që ka futbollistë të talentuar dhe sportistë të shkëlqyer jo vetëm në futboll. Është vetëm një ndeshje dhe futbolli mund të mos jetë i drejtë. Kam respekt për shtetet e Ballkanit”, është shprehur Leshicky, që ka qenë edhe ndihmëstrajner në përfaqësuesen e Çekosllovakisë.
Fituesi i ndeshjes Sllovakia – Kosova, do të jetë nikoqir i fituesit të duelit tjetër të gjysmëfinales së plejofit ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë.