Italiani Francesco Calzona e drejton si selektor Sllovakinë që nga 30 gushti i vitit 2022. Por, Calzona mund të përballet me largim pak javë para ndeshjes së Sllovakisë me Kosovën në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.
Ndeshja luhet më 26 mars të vitit të ardhshëm, kurse në muajin shkurt do të ketë zgjedhje në Federatën e Futbollit të Sllovakisë.
Në Sllovaki po diskutohet shumë e ardhmja e selektorit Calzona.
“Siç tha Petr Kashpar, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Sllovake të Futbollit, në fillim të vitit të ardhshëm drejtuesit e futbollit sllovak mund të marrin në konsideratë edhe një trajner italian për stolin e ekipit kombëtar, i cili ka qenë temë diskutimi që nga fillimi. Calzona ka qenë në krye të Sllovakisë që nga viti 2022 dhe nuk e ka pasur të lehtë si trajner i huaj që nga ardhja e tij. Publiku e lavdëron dhe e kritikon atë herë pas here, me disa tifozë që kërkojnë largimin e tij pas çdo performance të dobët ose humbjeje. Herën e fundit që kjo ndodhi ishte pas ndeshjes së fundit të grupit kualifikues, në të cilën sllovakët pësuan disfatë 6:0 nga Gjermania”, shkruan mediumi sllovak “Sport Web”, të hënën.
Në kualifikimet e rregullta sllovakët i shënuan katër fitore dhe i pësuan dy humbje.
“Calzona ka kontratë të vlefshme deri në fund të marsit, por zgjedhjet do të mbahen në federatë në shkurt. Një komitet i ri ekzekutiv mund të vijë dhe udhëheqja e re do të shqyrtojë menjëherë nëse koha e Calzonsd në stolin e kombëtares sllovake ishte e suksesshme dhe nëse do të vazhdojë”, shkruan tutje mediumi sllovak. “Një ndryshim në një pozicion kyç disa javë para ndeshjeve të rëndësishme është thuajse i pamundur, por në sport dhe në ngjarjet prapa skenave, asgjë nuk është e sigurt. Nëse përbërja e Komitetit Ekzekutiv do të ndryshonte pas zgjedhjeve, mund të ketë edhe një ndryshim të papritur në stol”.
Anëtari i Komiteti Ekzekutiv të Federatës Sllovake, Petr Kashpar, kishte thënë se për Sllovakinë kalimi në plejof është sukses.
Mediumi sllovak “Sport Web” i ka kushtuar hapësirë edhe përfaqësueses së Kosovës. Ka shkruar se përparësia e vetme e sllovakëve në ndeshjen ndaj Kosovës është paraqitja para shikuesve të tyre.
“Vendi është ende shumë i ri, me një popullsi prej më pak se dy milionë banorësh, por ka futbollistë cilësorë. Shumë prej lojtarëve kanë luajtur për ekipet e të rinjve të Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve skandinave. Atje ata mësuan disiplinën dhe qëndrueshmërinë mendore, të cilat, të kombinuara me entuziazmin dhe kreativitetin tradicional ballkanik, mund të jenë një armë e rrezikshme”, shkruan medium sllovak.