Futboll

Megjithatë, Conte konfirmon mungesën e Rrahmanit

Conte-Rrahmani

Mediat italiane kanë shkruar të shtunën gjatë ditës se Amir Rrahmani do të luajë titullar ndaj Milanit.

Por, një gjë të tillë është mohuar nga trajneri i Napolit, Antonio Conte.

Conte konfirmoi se Rrahmani nuk do të mund të paraqitet ende shkaku i lëndimit të pësuar në humbjen e Kosovës nga Zvicra 4:0, më 5 shtator në Basel.

Ai ballafaqim i takonte kualifikimeve për Botërorin 2026, ndërsa Rrahmani ishte zëvendësuar në minutën e 64-t pas telasheve muskulore.

Rrahmani nuk luajti fare në fitoren e Kosovës ndaj Suedisë, ndërsa Napolit i mungoi në duelet me Fiorentinan dhe Manchester Cityn. Ndaj Pisas në xhiron e kaluar ishte në bankën rezervë.

“Nuk ka qenë javë me fat. Rrahmani dhe Buongiorno nuk do të jenë aty, kemi pasur edhe disa probleme tjera. Por ju e dini se problemet vijnë e shkojnë brenda një viti. Ne duhet të jemi në gjendje të gjejmë zgjidhje për zëvendësimet dhe ta bëjmë më të mirën”, ka deklaruar Conte në konferencën për shtyp para ndeshjes derbi me Milanin.

Ndeshja Milan – Napoli luhet të dielën nga ora 20:45.