Ndonëse humbi 10:0 nga Bayerni dhe 6:0 nga Benfica, Auckland City vazhdon të vlerësohet prej skuadrave më të veçanta në Kupën e Botës për Klube që po mbahet në SHBA. Bëhet fjalë për ekipin e Zelandës së Re, që në Kupën e Botës për Klube e përfaqëson Oqeaninë, si ekipi më i suksesshëm i këtij regjioni.
Auckland City është dukshëm ekipi më i vogël që po paraqitet në Botërorin e klubeve. Bëhet fjalë për klub të nivelit amator. Të gjithë lojtarët kanë profesione të tjera, ndërsa luajnë futboll në kohë të lirë. Rrjedhimisht edhe rezultatet ndaj dy gjigantëve evropianë u vlerësuan të pranueshme.
Tek Auckland City luan edhe futbollisti i lindur në Kosovë, Regont Murati. 29-vjeçari luan si mbrojtës i krahut të djathtë, ndërsa kompletoi ndeshjen ndaj Bayernit. Ndaj Benficas qëndroi në stol. Murati është lojtari i vetëm nga Kosova në Botërorin e Klubeve dhe në një mënyrë përfaqësues i saj në ngjarjen globale që FIFA po i kushton rëndësi të madhe.
Në një bisedë për KOHËN, Murati ka treguar se kanë mbetur të befasuar me interesimin e madh lidhur me skuadrën e tyre, Auckland City.
“Nuk e kemi pritur gjithë këtë publicitet, por mendoj se është mirë për ne. Jemi ekip amator – gjysmë profesionist, që po garon në skenën botërore dhe thjesht po mundohemi të përfaqësojmë rajonin tonë dhe të japim maksimumin”, ka thënë Murati, të dielën.
Kingsley Coman ishte lojtari i Bayernit me të cilin u përball më së shumti Murati. Ai thotë se paraqitja ndaj Bayernit ishte përvojë e paharrueshme.
“Është diçka që do t’ua tregoj fëmijëve të mi, e shpresoj që edhe fëmijët e mi do ta tregojnë më tej. Ende nuk e kam kuptuar plotësisht se çka po ndodhë, apo çka ka ndodhur. Por po mundohem ta shijoj momentin. Jam përballur më së shumti me Kingsley Comanin, Serge Gnabryn dhe një lojtar të ri maroken, Adam Aznou. Në fund e mora fanellën e Serge Gnabryt dhe jam shumë mirënjohës për këtë”, ka treguar Murati.
Sipas tij, rezultati 10:0 ishte zhgënjyes. Murati thotë se disa prej golave ishte e mundur të shmangeshin, por është i vetëdijshëm se përballë kishin njërin prej ekipeve më të mirë në botë.
Askush tek Aucklandi nuk ka pritur që të fitohet ndeshja.
“Lojtarët e Bayernit treguan klasë, ishin të pamëshirshëm dhe treguan çka do të thotë një ekip në top-5 të botës. Personalisht mendoj se luajta mirë. Shumica e golave nuk u shënuan pas aksioneve nga ana ime dhe u përballa mirë me Comanin dhe Gnabryn. Të them të drejtën jam i kënaqur me lojën time”, ka thënë futbollisti i lindur në Pejë.
Për ndeshjen ndaj Benficas, Murati thotë se u dha një penallti e diskutueshme para pushimit, ndërsa në pjesën e dytë ndodhën gabime që sollën humbjen e thellë. Por thotë se skuadra bëri hapa para në krahasim me ndeshjen ndaj Bayernit.
Ai shpreson të luajë në ndeshjen e fundit në grup, ndaj gjigantit argjentinas Boca Juniors. Për Auckland Cityn do të jetë ndeshja e fundit në Kupën e Botës për Klube, që për herë të parë po zhvillohet me 32 skuadra. Deri më tani është zhvilluar me shtatë skuadra dhe ishte një mini-turne jo shumë i vlerësuar.
“Ndaj Bocas pres lojë shumë të shpejtë, fizike dhe të drejtpërdrejtë. Argjentinasit kanë nevojë për rezultat të madh, fitore me shumë gola ndaj nesh. Duhet të jemi maksimalisht të përqendruar dhe ta mbyllim turneun me krenari”, thotë Murati.
Ai thotë se të gjithë tek Aucklandi po marrin përkrahje nga shumë anë. Thotë se skuadra është e veçantë pasi përfaqëson njerëzit e thjeshtë.
“Nuk jemi profesionistë, por po mundohemi të arrijmë diçka të madhe. Dhe njerëzit gjithnjë e përkrahin autsajderin. Botërori ka qenë përvojë shumë e mirë. Edhe prej Kosovës dhe Shqipërisë po marr shumë përkrahje. Ishte ndjenjë shumë e mirë që të njihem dhe të përfaqësojë vendin dhe kulturën time”, thotë Regont Murati.
Ai për herë të tretë paraqitet në Kupën e Botës për Klube. Ka luajtur ndaj Al Ahlyt në Marok dhe ndaj Al-Ittihadit të Karim Benzemas në Arabinë Saudite.
Familja e Muratit ishte zhvendosur në Zelandë të Re gjatë luftës, kur ai ishte trevjeçar. Tregon që një pjesë të familjes e ka në Kosovë dhe se çdo vit e viziton vendlindjen.
Murati ka luajtur për klube të ndryshme në Zelandë të Re, ndërsa më të njohurit janë Auckland United, Central United dhe Auckland City FC. Ishte në ekipin e zgjeruar të Zelandës së Re për grupmoshën U17 e U20, por nuk është përzgjedhur që të marr pjesë në Kampionate Botërore.
Me Auckland Cityn i ka sukseset më të mëdha. Ka fituar tituj të Zelandës së Re dhe të Oqeanisë.
Gjatë Botërorit kanë bërë bujë profesionet e lojtarëve të Auckland Cityt.
“Punoj në kompaninë më të madhe të logjistikës së eksportit në Zelandën e Re. Pozita ime është ‘product owner’ për një sistem optimizimi. Menaxhojmë eksporet për produktet kryesore si qumështi, mishi, druri dhe produkte të tjera. Kjo është puna ime 40 orëshe në javë dhe pastaj jashtë këtij orari i përkushtohem futbollit”, ka treguar Regont Murati.
Tek Auckland City kanë tri apo katër stërvitje në javë dhe ndeshje në fundjavë. Të hyrat nga futbolli janë modeste, deri në 77 euro në javë.
“Paga maksimale është e kufizuar në 150 dollarë të Zelandës së Re (77.69 euro) në javë. Nëse kualifikohemi në gara si Kupa e Botës për Klube, kemi të drejtë në shpërblime shtesë nga fondet e turneut. Është një bonus i mirë”.
Në një material promovues të FIFA-s, Murati është paraqitur si lojtar nga Kosova në Kupën e Botës për Klube.
“Jam shumë krenar. Shpresoj që familja, shokët dhe i gjithë kombi janë krenarë. Kosova prodhon shumë talente si Rashica, Berisha, Muriqi dhe po luajmë shumë mirë. Po tregojmë çka dimë të bëjmë për një vend kaq të vogël. Edhe Shqipëria po luan shkëlqyeshëm. Mendoj se është dëshmi se çka përfaqësojmë si komb. Jam shumë krenar që po e shkruaj emrin tim në historinë e këtij suksesi të madh”, thotë Murati.