Futboll

Benfica e fiton ndeshjen që zgjati mbi katër orë

Benfica

Benfica e ka fituar ndeshjen që zgjati mbi katër orë në Botërorin e klubeve. 

Skuadra e madhe portugeze e mposhti thellë 6:0 skuadrën amatore të Zelandës së Re, Auckland City, të premten në mbrëmje.

Ballafaqimi i dytë i Grupit C nisi në orën 18:00, por u mbyll pak pas orës 22:00. 

Angel Di Maria e realizoi golin e vetëm në pjesën e parë nga penalltia në minutën e tetë të shtesës. Më pas u lajmërua për stuhi dhe sipas protokolleve të sigurisë në SHBA, çdo ngjarje duhet të pezullohet për gjysmë ore.

Por pritja ishte afro dy orë e gjatë, deri kur u lejuan kushtet për lojë.

Pasi skuadrat u kthyen në fushë, Benfica dominoi sërish dhe i shënoi edhe katër gola të tjerë.

Vangelis Pavlidis, Renato Sanches, Leandro Barreiro me dy gola dhe Di Maria me një tjetër penallti në minutën e 98-të, ishin realizatorët e fitores së thellë të portugezëve.

Nga minuta e 86-të te Benfica në lojë u inkuadrua qendërmbrojtësi Adrian Bajrami.

Ndërkohë te skuadra e Zelandës së Re në bankën rezervë mbeti mbrojtësi i krahut të djathtë, Regont Murati. Murati luajti në tërë ndeshjen e parë ndaj Bayern Munichut.

Benfica pas dy ndeshjeve ka katër pikë, ndërsa Auckland City është i fundit pa pikë, me 16 gola të pranuar dhe asnjë të shënuar.