Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Lojtarët e Kosovës të motivuar për sukses historik

Stërvitja e Kosovës

Një fëmijë po mundohej të shikonte futbollistët e Kosovës duke u stërvitur të dielën paradite në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Ka kohë që hyrja në stadium për të përcjellë nga afër stërvitjen e Kosovës nuk lejohet. Dhe djaloshi mundohej nga pjesa e jashtme e stadiumit të shihte yjet “dardanë”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Stërvitja e parafundit para ndeshjes historike ishte e hapur  vetëm 15 minuta, por vetëm për media. 
Më pas puna e përzgjedhësit Franco Foda me lojtarët e Kosovës vazhdoi “larg” syve të publikut. 
Ndeshja më e rëndësishme në histori të Kosovës është të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova e pret Turqinë në finale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës që këtë vit mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.

Stërvitja si zakonisht nisi me ngrohje. Ndër të fundit që u paraqit në fushë ishte sulmuesi Vedat Muriqi. Në mungesë të kapitenit të lënduar Amir Rrahmani, edhe ndaj Turqisë shiritin e kapitenit do ta bartë Muriqi. Do ta ketë edhe vëmendjen në fushë për shkak të ndikimit të madh te Kosova dhe të kaluarës në futbollin turk.

Pas ngrohjes së zakonshme, puna nisi sipas programit.

Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka raportuar për mungesa në stërvitje apo për ndonjë shqetësim nga lojtarët gjatë stërvitjes.

“Në seancën e sotme, përzgjedhësi Franco Foda ka punuar me theks të veçantë në aspektet taktike të lojës, ndërsa atmosfera në kampin e Dardanëve vazhdon të jetë shumë pozitive dhe motivuese”, shkroi FFK të dielën.

Pas përfundimit të stërvitjes, portieri Arijanet Muriq dhe sulmuesi Fisnik Asllani, thanë se motivi për sukses historik është rritur pas fitores në Bratislavë kundër Sllovakisë të enjten e kaluar.

Portieri Muriq ka thënë se Kosova është gati për ndeshjen kundër Turqisë.

“Jemi gati për ndeshjen dhe besoj që do të jetë një ditë e bukur në Prishtinë. Do të japim gjithçka nga vetja për të arritur fitoren”, ka thënë Muriq për FFK-në.

Shtatlarti insiston se kualifikimi historik në Botëror është në dorën e lojtarëve..

“Sigurisht që kemi besuar gjithmonë. Siç kam thënë edhe në intervistat e mëparshme, deri në momentin e fundit asgjë nuk mbyllet dhe ja ku jemi tani. Tash gjithçka varet nga ne. Mendoj që e kemi merituar të jemi këtu dhe do të japim maksimumin për ta merituar edhe fitoren”.

Muriq u është mirënjohës tifozëve për mbështetjen. Shpreson t’i bëjnë krenarë të martën mbrëma.

“Sa u përket tifozëve, mbështetja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Kanë qenë gjithmonë pranë nesh dhe na kanë dhënë forcë në çdo moment. Jemi shumë mirënjohës për këtë dhe shpresoj që t’i bëjmë krenarë duke dhënë gjithçka në fushë”, ka theksuar gardiani kosovar. 

Shpresë për kualifikim historik në Botëror ka edhe sulmuesi Fisnik Asllani. Ai realizoi në ndeshjen ndaj Sllovakisë.

“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Besoj se fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim dhe të martën ndaj Turqisë shpresoj të bëjmë një lojë shumë të mirë. Do t’i marrim gjithë tifozët afër vetes dhe shpresoj të fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë në Botëror”, ka thënë Asllani.

Ai pranon se Turqia është favorite. Por ka shtuar se Kosova ka dëshmuar se mund të fitojë edhe kundër përfaqësueseve favorite.

Kosova është në seri prej gjashtë ndeshjeve pa humbje. Ka katër fitore e dy barazime.

Në pesë ndeshjet e fundit edhe Turqia ka shënuar katër fitore, ndërsa ka një barazim.

“Nuk më intereson mua, e besoj as ekipit. Në fund shikohet në fushë se çfarë bëhet. Ata mund të jenë sa të duan favoritë. Ka qenë edhe Sllovakia, edhe Suedia. Ne do ta kryejmë punën tonë. Do ta japim maksimumin në fushë dhe të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka theksuar Asllani.

Sulmuesi i Hoffenheimit ka thënë se do ta lënë zemrën në fushë për Kosovën në ndeshjen ndaj Turqisë. Ai pret atmosferë të zjarrtë në tribuna.

“Pres të na ndihmojnë sa të munden, të na përkrahin brenda fushës, jashtë fushës. Ne do ta japim maksimumin për ata, do ta lëmë zemrën në fushë. Ne me ata e ata me ne, do ta fitojmë ndeshjen të martën”, është shprehur Asllani.

“Dardanët” të hënën në mëngjes e zhvillojnë stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Turqisë. Stërvitja mbahet sërish në “Fadil Vokrri” nga ora 11:00.