Si futbollist, Zekirija Ramadani ka luajtur për disa klube në Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri. Në këto dy vende ka punuar edhe si trajner. Por arritjet më të mëdha i ka në Kosovë.
Me katër prej pesë klubeve sa i udhëhoqi në Kosovë, trajneri shkupjan ka fituar katër tituj të kampionit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKatër skuadrat kampione i ka udhëhequr në garat evropiane. Rrugëtimin më të gjatë e ka me Dritën e Gjilanit, të cilën e udhëhoqi deri në plejof të fazës nokaut të Ligës së Konferencës.
"Më përcjell një yll nga qielli. Jam trajneri i parë me Trepçën 89, ose me një skuadër kosovare që mori pjesë në arenën ndërkombëtare. Jam trajneri i parë që kam udhëhequr Feronikelin në gara ndërkombëtare. Me Prishtinën jam trajneri i parë që kam arritur deri në fazën e tretë të Ligës së Konferencës, kurse me Dritën kemi kaluar grupet dhe u eliminuam në fazën nokaut. Gjithmonë garoj me vetveten, nga viti në vit të bëj progres. Dhe nëse merr arritjet nga viti 2017 me Trepçën 89 deri sot, çdo vit që kam dalë në Evropë, kam bërë progres”, ka thënë Ramadani.
Ai si trajner nisi te Shkupi në vitin 2014, ndërsa në Kosovë fillimisht udhëhoqi 89-shin. Fitoi titullin e kampionit dhe Superkupën. Me Feronikelin e Drenasit fitoi tre trofetë. U kthye te Shkupi e sërish te Feronikeli.
Më pas drejtoi Prishtinën drejt titullit dhe Superkupës. Edicionin e kaluar e fitoi titullin me Dritën. Pa trofe mbeti te Gjilani.
Nip i Kosovës
Lidhja e Ramadanit me Kosovën nuk është vetëm në futboll. Ai ka treguar synimin e madh që e ka në karrierë.
"Unë jam nip i Kosovës. Nëna ime ka lindur në Kosovë. Ne jemi shqiptarë. Babanë e kam nga Shkupi. Unë e dua Kosovën. Është vendi jonë dhe pse jo një ditë që Kosovën, Maqedoninë e Veriut, që është vendi im, apo ndonjë kombëtare tjetër. Është privilegj të drejtosh një kombëtare, por edhe përgjegjësi më e madhe", ka theksuar Ramadani.
Ai megjithatë nuk pret që të bëhet shpejt përzgjedhës. Thotë se puna në klub i sjell adrenalinë. Por duke garuar çdo ditë me veten, mund të arrij te posti i përzgjedhësit.
Ai flet sërish për arritjen me Dritën. Thotë se rrugëtimi ka qenë i lodhshëm, por me shumë emocione.
Ramadani pranon se Drita kaloi pritshmëritë.
"Në fillim nuk e kemi pritur që mund t'i kalojmë grupet. Por ja që ia dolëm me mund, punë, emocion, lodhje. Kemi pushuar pak vetëm gjatë periudhave kur ka pasur ndeshje ndërkombëtarë Kosova. Në stinorin vjeshtor kemi bërë 32 ndeshje dhe e dini që Superliga ka 36 ndeshje gjithsej. Kurse ne vetëm në stinorin vjeshtor kemi bërë 32 ndeshje”, ka theksuar Ramadani.
Ai tregon se në disa ndeshje formacioni thuajse dihej për shkak të mungesave të shumta. Ka pasur raste kur Dritës i kanë munguar edhe shtatë lojtarë.
Ai tregon se si trajner nuk ka orar pune. I ka ndodhur që të përgatisë në aspektin taktik edhe tri ndeshje njëkohësisht.
Synimet
Ramadani momentalisht është duke e jetuar ëndrrën.
"Kam pasur ëndërr të merrem me zejen e trajnerit. Është punë me adrenalinë, presion dhe mendoj se mund ta menaxhoj presionin. Asnjëherë nuk dua të jem i kënaqur me vetveten apo të vë një pikë të fundit se ku dua të arrij. Nëse arrijmë të kualifikohemi në grupet e Ligës së Evropës do të përmbushem për vitin e ardhshëm. Nëse nuk bëjmë progres në Ligën e Evropës, të paktën të jemi në Ligën e Konferencës dhe ta kalojmë këtë arritje që e kishim këtë edicion".
Ai ka refuzuar ofertë serioze për të vazhduar punën te Drita. Dhe nuk është pishman për vendimin që mori. Ka kontratë me klubin gjilanas deri në verën e vitit 2027, kurse sheh hapësirë për përparim të mëtejmë.
Pas rrugëtimit të gjatë e të suksesshëm në Evropë, Drita do të fokusohet në kampionatin e Kosovës.
"Përkushtimi do të jetë maksimal vetëm në kampionat. Kam thënë që prioritet kemi kampionatin, por gjithmonë kishim Ligën e Konferencës. Tani nuk kemi ku të ikim, kemi patjetër kampionatin për të mbrojtur titullin. Titulli fitohet me mund, por me mund tre herë më shumë. Unë jam i bindur që ne jemi të përgatitur fizikisht, mentalisht, taktikisht, teknikisht për ta mbrojtur titullin e kampionit", ka thënë Zekirija Ramadani.
Drita është lidere me 38 pikë. Ka dy pikë më shumë se Ballkani e Prishtina.