Çekia e ka publikuar të martën listën e zgjeruar për Kampionatin Botëror të futbollit që fillon më 11 qershor.
Çekia është kundërshtarja e ardhshme e Kosovës. Dy përfaqësueset takohen më 31 maj në Pragë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër Çekinë do të jetë miqësorja e fundit para udhëtimit për në SHBA.
Çekët paraqiten në Botëror pas plot 20 vjetësh. Në fazën grupore do të përballen me Korenë e Jugut, Afrikën e Jugut dhe Meksikën. Grumbullimi i përfaqësueses së Çekisë bëhet më 28 maj në Pragë.
Pas ndeshjes me Kosovën, lojtarët e Çekisë udhëtojnë për në SHBA, ndërsa do të kenë një miqësore tjetër më 4 qershor.
Lista e zgjeruar e Çekisë i ka plot 54 lojtarë. 26 prej tyre do të jenë në ekipin e Botërorit.
“E diskutuam temën e nominimit paraprak në detaje brenda grupit të menaxhimit sportiv. Natyrisht një debat i detajuar u bë edhe me kryetrajnerin Miroslav Koubek. Nominimi paraprak i ekipit kombëtar u bë në bazë të një vlerësimi gjithëpërfshirës të një numri faktorësh sportivë dhe të ekipit, të cilët trajneri kryesor dhe ekipi i tij i vlerësojnë për të gjithë lojtarët në plan afatgjatë. Kjo listë emrash duhej t’u dorëzohej organeve përkatëse të FIFA-s deri më 11 maj 2026. Çdo pjesëmarrës në Botëror mund të ketë deri në 55 lojtarë në listën e zgjeruar. Nominimi përfundimtar bëhet nga ky grup. Ekziston një pajtueshmëri mendimesh me menaxherin e përgjithshëm, Pavel Nedved, trajnerin kryesor, Miroslav Koubek dhe brenda grupit drejtues për përzgjedhjen e 54 lojtarëve”, ka theksuar kryetari i federatës çeke, David Trunda.
Patrik Schick i Bayer Leverkusenit, Tomash Souçek i West Hamit, Vladimir Coufal i Hoffenheimit, Ladislav Krejçi i Wolverhamptonit, Antonin Kinsky i Tottenhamit janë prej emrave më të njohur të Çekisë. Shumë prej lojtarëve çekë në listën e gjerë janë të klubeve të këtij vendi.
Miqësorja me Çekinë vlerësohet shumë e fortë për Kosovën. Fakti se Çekia paraqitet në Botëror e dëshmon këtë. Ndërkohë më 7 qershor në “Fadil Vokrri”, Kosova luan me Andorrën. Në miqësoren e dytë, përzgjedhësi Franco Foda pritet të provojë lojtarë të shumtë. Por edhe ndaj Çekisë mund të mungojnë yje të përfaqësueses, pas një edicioni shumë të gjatë dhe me shumë ngarkesë.