Në sport lëndimet janë shumë të shpeshta. Ka prej sportistëve që shkaku i lëndimeve të rënda e humbin edhe karrierën.
Mirëpo, ka edhe sportistë që rikthehen edhe më fuqishëm pas lëndimit. Një gjë të tillë e ka arritur Oltion Bilalli.
Ai ka shënuar tre gola dhe ka asistuar një herë në ndeshjet miqësore që Gjilani i luajti në Antalia të Turqisë.
“Ndihem mirë që jam në formë optimale dhe që i kam shërbyer ekipit jo vetëm me gola. Kemi punuar shumë si grup dhe jemi të gatshëm për pranverë. Unë jam i gatshëm gjithmonë dhe në çdo rast që do të kem mundësi. Golat janë rezultat i punës jo vetëm individuale, por edhe ekipore. Shpresoj që gjërat do të vazhdojnë kështu edhe në vazhdim të kampionatit dhe të jem si një përforcim i ri për ekipin”, ka thënë Bilalli të enjten për KOHËN.
Nga Bilalli priten gola edhe në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
Sulmuesi 24-vjeçar këtë edicion nuk ka shënuar asnjë gol. Luajti gjashtë ndeshje pas kthimit nga lëndimi i rëndë të pësuar më 6 maj të vitit 2025.
Goditja që kishte marrë në kokë gjatë një dueli me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli, e më pas përplasja me kokë në tokë i shkaktoi gjakderdhje Bilallit.
Bilalli u godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin e Malishevës në minutat e fundit të ndeshjes.
Dhe gjendja e futbollistit të talentuar ishte e rëndë. Bilalli thotë se kishte skepticizëm se mund të mos luajë kurrë më futboll.
“Në fillim ndoshta ka pasur skepticizëm, mirëpo periudha e riaftësimit nga lëndimi në kokë që kam pasur ka dëshmuar që mund të rikthehem sërish në fushat e blerta. Unë kam besuar gjithmonë, që nga dita e parë, stafi mjekësor gjithashtu dhe për këtë u thashë që u jam shumë falënderues”, është shprehur Bilalli.
I riu i Gjilanit ka bërë rikthimin në fushë tashmë. Thotë se kishte besim se do të kthehej në fushë shumë shpejt.
“Besimin e kam pasur gjithmonë që do të kthehem dhe kam punuar në vazhdimësi. Kjo falë edhe stafit mjekësor të klubit që më ka qëndruar afër në çdo kohë dhe e kam ditur që nëse punoj fuqishëm do të vijë edhe rezultati. Unë besoj që mund të jap shumë më tepër dhe kjo formë momentale të më shërbejë edhe më shumë për në vazhdimësi”, ka theksuar ai. “Normalisht shumë e vështirë ishte ajo periudhë e pauzës, sidomos kur shihja shokët e skuadrës brenda fushës së lojës dhe nuk munda t’u ndihmoja. Mund të them që ka qenë sfida dhe periudha më e vështirë e jetës, por falë Zotit gjithçka është normalizuar dhe nuk e mendoj asnjëherë prapa”.
24-vjeçari ka treguar euforinë e tij pasi është paraqitur sërish me fanellën e Gjilanit.
“Besimi. Asnjëherë nuk jam dorëzuar, apo nuk kam menduar të ndaloj. E di që ka qenë e vështirë, por kam besuar gjithmonë dhe tani jam këtu ku jam, me punën dhe shpresën që nga dita në ditë vetëm e po vjen duke u ngritur”, ka thënë Bilalli.
Bilalli kishte luajtur më herët edhe te Balikesirspori i Turqisë. U kthye te Gjilani në vitin 2022. Ai shpreson të fitojë trofe me Gjilanin dhe të paraqitet për Kosovën.
Bilalli ka luajtur gjashtë ndeshje për Kosovën U21. Ka luajtur edhe për Kosovën U17 dhe U16. Ka besim se mund të luajë edhe për ekipin A të Kosovës.
“Gjithmonë jam i përkushtuar të jap maksimumin tim, sikurse në klub, po ashtu edhe në ekipin kombëtar të Kosovës kur isha. Qëllimi dhe objektivi kryesor normalisht është fitimi i një trofeu me klubin, sepse e kam ëndërruar nga fëmijëria dhe po ashtu debutimi me ekipin kombëtar të Kosovës. Do të punoj fuqishëm që një ditë të realizoj edhe këtë objektiv”, ka thënë Bilalli.