Futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, është deklaruar për herë të parë pas lëndimit të rëndë që e pësoi javën e kaluar në ndeshjen kundër Malishevës.
Bilalli të mërkurën e kaluar pësoi lëndim të rëndë në kokë.
U godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli, në minutat e fundit të ndeshjes Gjilani - Malisheva, që i takoi xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Goditja që mori në kokë gjatë duelit me portierin e Malishevës, e më pas përplasja me kokë në tokë, i shkaktoi gjakderdhje në kokë futbollistit të ri të Gjilanit.
Pasi iu dha ndihma e parë në fushë për shumë minuta, Bilalli u largua me autoambulancë nga fusha me bari sintetik në Gjilan. U nis drejt Spitalit të Gjilanit dhe më vonë për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Fillimisht mjekët ishin shqetësuar për gjendjen e tij, por më pas nisën sinjalet pozitive.
Falë trajtimit që mori në QKUK, Bilalli është në gjendje të mirë, ndërsa premton të kthehet edhe më i fortë.
Permes një postimi, Bilalli ka falënderuar mjekët dhe gjithë personat e tjerë që i kanë qëndruar pranë.
“Së pari falënderimet i takojnë Allahut, shëruesit të vetëm, që jam shumë më mirë me shëndet. Dua gjithashtu të falënderoj stafin mjekësor të klubit tim, në veçanti Arben Bislimin, Argjil Shkodrën, stafin mjekësor të Malishevës, lojtarët, familjarët, stafin mjekësor në Gjilan dhe në QKUK dhe të gjithë ata që ishin me mua dhe u përkujdesën për mua në repartin e Neurokirurgjisë në Prishtine nga momenti i lëndimit deri më sot. Do të mundohem t’u përgjigjem mesazheve një nga një. Falënderimi nga zemra shkon edhe për klubin tim të zemrës që më ka qëndruar afër gjate gjithë kohës, presidentët, stafi dhe lojtarët”, ka shkruar Bilalli të hënën mbrëma.
Ai ka premtuar se do të kthehet edhe më i fortë në fushën e blertë.
“Me lejen e Zotit shpresoj dhe premtoj se do të kthehem edhe më i fortë se që kam qenë”, ka shkruar tutje Bilalli.
Bilalli është 23-vjeçar. Luan si sulmues krahu. Ai më herët ka luajtur edhe në Turqi për Balikesirsporin. Ka luajtur katër ndeshje edhe për Kosovën U21 si dhe grupmoshat U17 dhe U16. Te Gjilani është lojtar i rëndësishëm.
Klubet e futbollit në vend u bashkuan duke u lutur për shëndetin e këtij lojtari, pas incidentit të frikshëm në Gjilan.