Futbollistit të Gjilanit, Oltion Bilalli, i është kthyer vetëdija e plotë, ka njoftuar mjekja kujdestare e Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Agreta Gashi.
Ajo të enjten për KOHËN ka thënë se gjendja e Oltionit është e mirë.
“Oltioni është mirë. Është zgjuar sot. E kemi zgjuar prej barnave. Gjendja është stabile dhe nëse vazhdon kështu do ta transferojmë nga këtu. Besojmë se do të transferohet pastaj në Neurokirurgji. Kalon në një repart për raste më të thjeshta, sepse këtu është për raste më të rënda. Ka filluar të flas. E ka vetëdijen e plotë. Oltioni ka vetëdije, është mirë”, ka thënë Gashi për KOHËN të enjten.
Bilalli pësoi të mërkurën lëndim të rëndë. U godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli në minutat e fundit të ndeshjes Gjilani - Malisheva, që i takoi xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe u zhvillua të martën.
Goditja që mori në kokë gjatë duelit me portierin e Malishevës, e më pas përplasja me kokë në tokë, i shkaktoi gjakderdhje në kokë futbollistit të Gjilanit.
Bilalli është 23-vjeçar. Luan si sulmues krahu. Ai më herët ka luajtur edhe në Turqi për Balikesirsporin. Ka luajtur katër ndeshje edhe për Kosovën U21 si dhe grupmoshat U17 dhe U16.