Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur renditjen më të lartë ndonjëherë në historinë e saj në renditjen e re të FIFA-s, që u përditësua të enjten (18 shtator 2025).

Pas fitores ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri” dhe humbjes nga Zvicra në Basel, ndeshje që i zhvilloi këtë muaj për kualifikuese në Botërorin 2026, Kosova është renditur në pozitën e 91, duke u ngjitur tri vende më lartë sesa ishte në ranglistën e fundit (94). “Dardanët” kanë 1262 pikë.

Në grupin ku bën pjesën Kosova, pas dy ndeshjeve, Zvicra ka gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me tri. Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.

Më 10 tetor, Kosova pret Slloveninë në Prishtinë, ndërsa “Fadil Vokrri” pritet të jetë i mbushur pasi për pak orë u shitën të gjitha biletat. Pas tri ditëve, Kosova udhëton në Suedi.

Kosova

Ndërkohë, në dhjetë vendet e para, Spanja ka marrë pozitën e parë, ndërsa Franca të dytën. Argjentina nga vendi i parë ka zbritur në të tretin.

E katërta është Anglia, ndjekur nga Portugalia, Brazili, Holanda, Belgjika, Kroacia e Italia.

Fitoret ndaj Gjibraltarit e Letonisë e ngritin Shqipërinë për dy pozita në renditjen e FIFA-s

1 o. më parë / 18 sht 2025 11:31
Shqipëria mposht Letoninë, kalon Serbinë

Shqipëria është ngritur për dy pozita në renditjen e përditësuar të FIFA-s pas ndeshjeve të shtatorit. “Kuqezinjtë” renditen në vendin e 66-të.

Shqipëria e drejtuar nga Sylvinho fitoi të dyja ndeshjet në muajin shtator.

Më 4 shtator, mposhti Gjibraltarin në miqësore 0:1, ndërsa pas pesë ditëve, triumfoi ndaj Letonisë me rezultat të njëjtë në “Air Albania”, ndeshje e vlefshme për kualifikimet në Botërorin 2026.

Pas pesë ndeshjeve, Anglia ka 15 pikë në vendin e parë, Shqipëria ka tetë në vendin e dytë, ndërsa Letonia e Andorra kanë pozitat katër dhe pesë, me katër respektivisht asnjë pikë. Serbia është e treta me shtatë pikë dhe një ndeshje më pak.

Më 11 tetor, në Leskovc, Shqipëria përballet me Serbinë.