Futboll

Kosova me mungesa të tjera, por Foda optimist për fitore në Rumani

Franco Foda

Kosova do të ketë mungesa të rëndësishme në ndeshjet e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve. Kosova të premten luan ndeshje vendimtare ndaj Rumanisë në Bukuresht, ndërsa javën tjetër e pret Lituaninë.

Selektori Franco Foda ka njoftuar të hënën në konferencë për shtyp se pos Emir Sahitit e Ermal Krasniqit për shkak të lëndimeve do të mungojnë edhe Leart Paqarada, Milot Rashica e Bersant Celina. Në fakt Celina luajti të dielën për 90 minuta në Suedi. KOHA ka mësuar se ai nuk grumbullohet i pakënaqur me trajtimin që kishte deri më tani.

Mungesat e shumta kanë krijuar vend në përfaqësuese për lojtarë të tjerë. Zymer Bytyqi e Art Smakaj kthehen te Kosova, ndërsa për herë të parë janë ftuar edhe Baton Zabërgja e Leard Sadriu.

“Fatkeqësisht i kemi disa lëndime. Në dispozicion nuk i kemi Leart Paqaradën, Emir Sahitin, Ermal Krasniqin, Milot Rashicën dhe Bersant Celinën. Me ekipin e trajnerëve kemi vendosur që të ftojmë edhe dy lojtarë të rinj, Art Smakajn dhe Zymer Bytyqin. Tani i kemi për herë të parë në dispozicion Leard Sadriun dhe Baton Zabërgjën”, ka thënë Foda në konferencë për shtyp.

Sadriu e Smakaj ishin në listën rezervë, të publikuar të shtunën. Ndërkohë Bytyqi nuk ishte as në listën rezervë, por u ftua ndërkohë.

Foda ka njoftuar se grupi i lojtarëve në stërvitje në fushën e blertë do të jetë komplet të martën.

Lidhur me mungesat trajneri gjerman ka thënë se janë të rëndësishme. Është ndalur më shumë te Krasniqi e Rashica. 

“Po, sigurisht janë lojtarë të rëndësishëm ata që mungojnë. Krasniqi ka shënuar dy gola, Rashica ka cilësitë e veta sidomos me shpejtësi dhe përvojë. Por tani krijohet shansi për lojtarë të rinj. Do të gjejmë zëvendësuesit e tyre”, ka shtuar Foda.

Bytyqi është ftuar për shkak të mungesave të sulmuesve të krahut. Opsion, sipas Fodas, ishte edhe Drilon Hazrollaj, por është vendosur për Bytyqin. Vesel Demaku nuk është ftuar pasi nuk është kompletuar dokumentacioni i tij. Për Eliot Bujupin u vendos të grumbullohet me Kosovën U19.

Foda ka thënë se ka folur me Rashicën dhe se ai nuk mund të ushtrojë në ditët e ardhshme, ndonëse luajti të dielën në Turqi. Për Celinën ka thënë se ka një tronditje të lehtë në tru.

“Dje kam biseduar me Rashicën. Ai kishte dhembje dhe për këtë arsye nuk është në gjendje  të luajë. Për mendimin tim nuk është dashur të luante as për Beshiktashin. Edhe me Celinën kemi kontaktuar. E ka një tronditje të lehtë të trurit dhe nuk mund të luajë në ditët e ardhshme. Për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm kur bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve”, ka thënë Foda.

Dy xhiro para fundit Kosova është e dyta në grupin C2 të Ligës së Kombeve. Rumania udhëheq në grup me 12 pikë, ndërsa Kosova i ka nëntë. Qiproja është e treta me tri pikë, ndërsa Lituania mbetet pa pikë pas katër xhirosh.

Rumania fitoi 3:0 në Prishtinë dhe për ta kaluar në tabelë, përkatësisht për ta fituar grupin, Kosovës i duhet fitorja me më shumë gola dallim. Më 18 nëntor Kosova e pret Lituaninë, ndërsa Rumania e pret Qipron. Priten fitore të Kosovës e Rumanisë, kështu që ndeshja vendimtare do të jetë ajo e së premtes në Bukuresht.

“Vendi i parë është ende i arritshëm, por për këtë duhet ta fitojmë lojën në Rumani. Në tri ndeshjet e fundit kemi treguar futboll të mirë. Jam i kënaqur në përgjithësi me ekipin, por jo edhe tepër i kënaqur, pasi është dashur të shënonim më shumë gola. Duhet t’i bëjmë disa përshtatje në ekip për shkak të lëndimeve. Por nisemi me vetëbesim dhe energji shumë pozitive në Rumani. Jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të fitojmë. Ndeshjet e fundit do të vendosin për pozitën e parë”, ka vazhduar selektori Foda.

Ai ka paralajmëruar lojë sulmuese edhe në Bukuresht. Foda ka thënë se Kosova duhet të luajë si në shtëpi ashtu edhe në udhëtim. Në humbjen 3:0 në Prishtinë nga Rumania, sipas Fodës, Kosovës i mungoi edhe fati duke pranuar gola në momente të papërshtatshme.

Ai është i kënaqur me lojtarët që i ka në dispozicion për pjesën qendrore të mesfushës  dhe nuk sheh probleme në këtë repart. Ky repart përbëhet nga Valon Berisha, Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija, Muharrem Jashari e Lindon Emërllahu.

“Rumania i ka kualitetet e veta në mesfushë, por edhe Kosova ka kualitetet që do t’i shfrytëzojmë. Me rëndësi është të luajmë me shumë vetëbesim”.

Selektori i Kosovës vlerëson se nuk ka rëndësi sistemi i lojës ndaj Rumanisë. Sipas tij, e rëndësishme është që lojtarët e Kosovës ta kenë topin, të sulmojnë e të mbrohen së bashku.

Ai vlerëson se përfaqësuesja është zhvilluar dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e fundit. Por Foda pranon se ka ende shumë hapësirë për përmirësim.

“Duhet të përmirësohemi tutje dhe duhet të mbesim të uritur për sukses. Fitoret e fundit janë shumë të mira, të japin ndjenjë të mirë. Por futbolli nuk i përket të kaluarës. Futbolli i përket të tashmes. Tani kemi ndeshjen me Rumaninë dhe duhet të japim maksimumin për fitore. Në Rumani mund të fitojmë vetëm nëse të gjithë lojtarët e japin maksimumin dhe i tejkalojnë kufijtë e tyre”, ka thënë Franco Foda.