Futboll

Konfirmohet mungesa e Amir Rrahmanit për ndeshjen ndaj Suedisë

amir rrahmani

Kosova do të jetë pa kapitenin Amir Rrahmani në ndeshjen ndaj Suedisë. Këtë e konfirmoi të dielën Federata e Futbollit e Kosovës.

Mbrojtësi i qendrës pësoi një lëndim në humbjen 4:0 të Kosovës nga Zvicra, të premten në Basel.

Dhe nuk do të jetë në dispozicion të selektorit Franco Foda për ndeshjen e së hënës mbrëma, që zhvillohet në “Fadil Vokrri”. Rrahmani ishte prej lojtarëve të vlerësuar me notën më të ulët në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Rrahmani tashmë është liruar nga grumbullimi.

“Përkundër dëshirës së madhe për të qenë në fushë, pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore është konstatuar se Rrahmani e ka të pamundur të paraqitet në këtë ndeshje për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e së premtes kundër Zvicrës në Bazel. Si rrjedhojë, kapiteni është liruar nga grumbullimi me ekipin kombëtar për t’u kthyer në klubin e tij, ku do të vazhdojë trajtimin mjekësor me qëllim që të rikuperohet sa më shpejt dhe të rikthehet në fushë, për të qenë gati më pas edhe për ndeshjet e muajit tetor me fanellën dardane kundër Sllovenisë dhe Suedisë”, ka njoftuar FFK-ja të dielën në mëngjes.