Futboll

Kosova pa kapitenin Rrahmani ndaj Sllovenisë dhe Suedisë

Amir rrahmani

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, do të paraqitet pa kapitenin Amir Rrahmani në ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Rrahmani ka pësuar lëndim gjatë stërvitjes të shtunën dhe rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë pas ndeshjeve të muajit të ardhshëm. Kështu të paktën kanë raportuar të dielën mediumet italiane.

Trajneri Antonio Conte kishte folur të shtunën në konferencë për media për mungesën e Rrahmanit për ndeshjen kundër Milanit të dielën. Por ai nuk kishte dhënë më shumë detaje. Të dielën disa mediume italiane kanë shkruar se Rrahmani do të mbetet jashtë fushës edhe për disa ndeshje, përfshirë ndeshjet që Kosova do t’i zhvillojë në tetor, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Buongiorno do të humbasë po ashtu ndeshjet kundër Sporting Lisbonës dhe Genoas, ndërsa Rrahmani bëhet e ditur se do të kthehet pas ndeshjeve të tetorit”, shkruan mediumi lokal i Napolit “Corriere del Mezzogiorno” të dielën.

Rrahmani nuk luajti fare në fitoren e Kosovës ndaj Suedisë, ndërsa Napolit i mungoi në duelet me Fiorentinan dhe Manchester Cityn. Ndaj Pisas në xhiron e kaluar ishte në bankën rezervë. Ai ishte lënduar në humbjen e Kosovës 4:0 nga Zvicra më 5 shtator.

Kosova më 10 tetor e pret Slloveninë, kurse pas tri ditësh luan në Goteborg kundër Suedisë.