Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Pas plejofit për Evropian, Kosova pa Amir Rrahmanin edhe në plejofin për Botëror

Amir Rrahmani

Kosova kishte bërë gjithçka që kishte në dorë për ta pasur në ekip Amir Rrahmanin kundër Maqedonisë së Veriut në plejofin e Ligës së Kombeve për kualifikim në “Euro 2020”. 

Rrahmani i mungoi Kosovës në gjysmëfinale të plejofit të luajtur më 8 tetor 2020 në Shkup, ndeshje të cilën Maqedonia e Veriut e kishte fituar 2:1. Më pas Maqedonia e Veriut e kishte mposhtur Gjeorgjinë në Tbilisi dhe kishte siguruar biletën për në Evropianin e mbajtur në vitin 2021.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mbrojtësi Rrahmani nuk u lejua të udhëtonte nga autoritetet lokale të Napolit pas rasteve me koronavirus te klubi i tij. Ndaj Maqedonisë së Veriut munguan edhe Vedat Muriqi, Milot Rashica e Hekuran Kryeziu të lënduar.

Kosova do të paraqitet sërish pa Rrahmanin në ndeshjen shumë të rëndësishme për kualifikim në Kupën e Botës 2026 kundër Sllovakisë.

Ndeshja Sllovaki – Kosovë i takon gjysmëfinales së plejofit për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Mbrojtësi i qendrës u zëvendësua pas lëndimit të pësuar në ndeshjen që Napoli e zhvilloi kundër Romës, fundjavën e kaluar. Rrahmani në minutën e 69-të shkaktoi penallti dhe mbeti i lënduar. Ai ka lëndim muskulor në këmbën e majtë që pritet ta mbajë jashtë fushës të paktën dy muaj.

Mungesën e Rrahmanit e kanë konfirmuar edhe nga Kosova.

Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, ka thënë se do të jetë e pamundur që Amiri të bëhet gati për ndeshjen kundër sllovakëve.

“Gjendja nuk është e mirë dhe definitivisht nuk mund të llogarisim në këto dy lojë. Zyrtarisht mungon. Është një lëndim më serioz se që është menduar. Edhe pse ai ka filluar rehabilitimin atje, por gjasat janë shumë të vogla. Ai ka nisur rehabilitimin dhe i gjithë stafi mjekësor është duke u marrë me Amirin, por nuk është e lehtë. Lëndimi është më serioz se që është menduar. Mungesë shumë e madhe do të jetë. Do të jetë mungesë shumë e madhe. Por futbolli i ka këto pjesë”, ka thënë Sahiti të enjten për KOHËN.

Sahiti ka insistuar se mungesa e kapitenit Rrahmani do të jetë e madhe.

“Shumë i pafat. Por edhe këta që i kemi në ekip presim ta plotësojnë mungesën e Amirit. Nuk do të na mungojë vetëm si lojtar, por edhe si kapiten dhe si lider i ekipit”, është shprehur Sahiti.

Rrahmani i ka munguar Kosovës në tri ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Rrahmani mungoi “Dardanëve” në dy ndeshjet me Suedinë dhe Slloveninë. Kosova fitoi dy herë kundër suedezëve, ndërsa barazoi pa gola kundër sllovenëve. 

Kapiteni Rrahmani i mungoi Kosovës për shkak të lëndimit të pësuar në duelin me Zvicrën në Basel.

Ai u kthye në fitoren 2:0 kundër Sllovenisë dhe barazimit 1:1 me Zvicrën në ndeshjen e fundi të ciklit të rregullt kualifikues.

Kundër Sllovenisë përkrah Rrahmanit kishin luajtur Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari.
Ndaj Zvicrës Rrahmani luajti së bashku me Fidan Alitin dhe Lumbardh Dellovën. Edhe Kreshnik Hajrizi e Ilir Krasniqi po ashtu kanë luajtur në ndeshjet kur Rrahmani ka munguar. Paraqitja e tyre është vlerësuar lart. 

Në ndeshjen ndaj Sllovakisë nëse nuk ka ndonjë telashe me lëndim apo të natyrave të tjera, lider i mbrojtjes do të jetë Albian Hajdari i Hoffenheimit. Përkrah tij pritet të paraqitet Lumbardh Dellova që ka treguar formë të lartë me fanellën e Kosovës.

Rrahmani në shumë ndeshje i mungoi edhe Napolit. Ekipi italian i drejtuar nga Antonio Conte ka vuajtur shumë pa Rrahmanin në fushë.

Me Rrahmanin në fushë, Napoli ka pësuar 16 gola në 22 ndeshje. Pa Rrahmanin në fushë, Napoli ka pësuar 26 gola në 15 ndeshje.