Në mes të janarit vëllezërit Fitim e Boletin Hasani u bënë pronarët e rinj të klubit zviceran të futbollit, Schaffhausen.
Schaffhauseni garon në kategorinë e dytë helvetike, por është klub me traditë. Megjithatë po kalon moment të vështirë dhe rrezikon rënien në kategorinë e tretë zvicerane.
Prej të mërkurës ky klub ka pronarë të rinj. Pra Fitim e Boletin Hasani më nuk janë në krye, kanë njoftuar mediat zvicerane.
Schaffhauseni përmes një komunikate ka njoftuar se ka përfunduar me sukses riorganizimin për vitet e ardhshme. Sipas njoftimit, vëllezërit Hasani kanë arritur ta stabilizojnë klubin gjatë fazës sfiduese financiare dhe strukturore. Vëllezërit shqiptarë, sipas njoftimit, kanë zhvilluar negociata intensive. Dhe një marrëveshje me Lotus One Swiss AG është nënshkruar. Kjo kompani do të investojë direkt në klub duke blerë aksione. Kjo kompani tashmë është aksionarja kryesore. Silvan Hurlimann është aksionar tjetër.
Ndërkohë kryetar i Bordit të Drejtorëve do të jetë Martin Frick. Fitim Hasani tashmë është ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve.
“Unë dhe vëllai im, Boletini, kemi punuar shumë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për klubin dhe regjionin. Jemi të kënaqur që e paraqesim këtë zgjidhje me Lotus One Swiss AG”, ka thënë Fitim Hasani.
Kjo kompani është e lidhur me Lotus Singapore Group, që është organizatë globale.
Pronari i mëparshëm i Schaffhausenit po i shet të gjitha aksionet. Te kjo skuadër ka shumë futbollistë shqiptarë. Një tjetër shqiptar, Jimmy Berisha, ishte shef ekzekutiv deri vonë. Ai u largua si pjesë e ndryshimeve të bëra nga vëllezërit Hasani. Ishte larguar edhe trajneri Ciriaco Sforza dhe në vend të tij erdhi Hakan Yakin.
Pas 32 xhirove, Schaffhauseni është i fundit në kategorinë e dytë zvicerane me 25 pikë. Megjithatë ka ende gjasa për të mbetur në këtë kategori.
Ermir Lenjani, Bujar Lika, Florian Hoxha, Orges Bunjaku, Valon Hamdiu, Brendon Abazi janë pjesë e kësaj skuadre tradicionale zvicerane.