Pas 17 minutave lojë, portieri i Bayernit, Manuel Neuer u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e së martës mbrëma për Kupë ndaj Bayer Leverkusenit.
Përjashtimi në humbjen 1:0 ishte i pari në karrierë për Neuerin. 38-vjeçari ndërhyri në mënyrë të palejuar ndaj Jeremie Frimpongut.
Në 740 ndeshjet e kaluara garuese me klub dhe 124 ndeshjet me Gjermaninë, Neueri asnjëherë nuk ishte përjashtuar, shkruan “Kicker”.
Ikona gjermane e portës ka pranuar vendimin e arbitrit.
Bayerni për herë të pestë rresht nuk do të jetë në finale të Kupës së Gjermanisë.
“Përjashtimi dhemb, natyrisht. Nuk ishte një situatë aktive në të cilën jam munduar ta lëndojë atë. Por fakt është që nuk kam prekur topin. Pasi nuk kisha kontakt me topin, është në rregull për mua”, ka thënë Neuer, që është bërë i njohur edhe për daljet e vazhdueshme jashtë zonës së tij. Këtë herë u vonua pak.