Futboll

Kampionia e Evropës fiton thellë ndaj Zvicrës

Spanja dhe Zvicra

Kampionia e Evropës në futboll, Spanja ka fituar thellë ndaj Zvicrës të dielën mbrëma në Gjenevë. Spanja mposhti Zvicrën me rezultatin 4:1 në ndeshjen që i takoi Grupit 4 të Ligës A të Ligës së Kombeve.

Joselu hapi serinë e golave. Ai shënoi në minutën e katërt me asistim të Lamine Yamalit. Spanjollët shpejtë shënuan edhe golin e dytë nëpërmjet Fabian Ruizit. Ai shënoi golin për 2:0 në minutën e 13-të. Shtatë minuta pas golit të dytë të shënuar, Spanja mbeti me një lojtarë më pak në fushë. Robin Le Normand u përjashtua nga loja me karton të kuq.

Katër minuta pa përfunduar pjesa e parë, Zvicra ngushtoi epërsinë në 2:1. Zeki Amdouni ishte realizator i golit për zviceranët.

Ruiz shënoi sërish për Spanjën në minutën e 77-të për rezultatin 3:1, ndërsa Ferran Torres vulosi fitoren bindëse të spanjollëve përballë zviceranëve. Ai shënoi për 4:1 në minutën e 80-të.

Është hera e parë pas një kohe të gjatë që Zvicra luan pa asnjë futbollist shqiptar. Uran Bislimi mbeti në stol, ndërsa Granit Xhaka mungoi për shkak të suspendimit.

Zvicra mbetet përfaqësuesja e vetme pa pikë pas dy ndeshjeve në Grupin 4. Danimarka është e para me gjashtë pikë, kurse Serbia e treta me një pikë.