Nga Zvicra në Bergamo, në momentet kur karriera e tij kishte vështirësi të shumta. Qendërmbrojtësi Berat Gjimshiti, që ishte zhvilluar te të rinjtë e Zurichut si futbollist, ishte transferuar tek Atalanta në janar të vitit 2016. Kishte luajtur si i huazuar tek Avellino e Benevento.
Por, tek Atalanta ka gjetur identitetin, familjen dhe jetën e dytë, shkruan “pianetaatalanta” të mërkurën.
Gjimshiti ka dhënë një intervistë të gjatë për projektin e ri të ligës Serie A, “Kampionët e krijuar në Itali”, që kësaj radhe kaloi kohë në Bergamo.
“Futbolli është gjëja më e rëndësishme në jetën time, njësoj si familja që e kam ndërtuar. Familja është shumë e rëndësishme për mua. Familjarët kanë qenë me mua në momente hidhërimi e gëzimi. Në jetë gjithçka është e mundur. Kur kam nisur me futboll, nuk e kam ditur se do të mbërrij në këtë nivel”, ka deklaruar Gjimshiti.
Kur Gjimshiti u transferua tek Atalanta, nuk ishte lideri që njihet sot. Ai tani është kapiten te Shqipëria dhe paraqitet me shumë sukses te “kaltërezinjtë”.
Gjimshiti ka treguar se ka pasur fare pak njohuri për futbollin italian para se të transferohej në Itali.
“Fillimi ka qenë shumë i vështirë sepse nuk e kam ndjekur asnjëherë futbollin italian. Kam shikuar futboll të Gjermanisë sepse është më afër Zvicrës. Kemi ndjekur më shumë ndeshje të Bundesligë. Por kur erdhi thirrja nga Atalanta, nisa të informohesha më shumë, të përcillja më shumë lojtarët që luanin këtu. Futbolli më bindi që të vija nga Zvicra në Itali. Italia ka traditë dhe ka futboll më të zhvilluar se Zvicra. Ishte vendim që e kam marrë me kokë, për karrierën time. Doja të ndërtoja diçka, të isha i suksesshëm. Dhe mendoj se ky ka qenë vendimi më i rëndësishëm”, ka shtuar Gjimshiti.
Gjimshiti në Bergamo kishte ardhur si 22-vjeçar, pa e njohur askënd. Tani është i dashuruar në qytetin dhe në klubin ku ai luan.
32-vjeçari ka dy Kupa të Zvicrës të fituara me Zurichun. Por, suksesin kulmor e ka arritur me Atalantan.
Ai në edicionin 2023/24, e fitoi Ligën e Evropës, garën e dytë më të rëndësishme për klube të organizuar nga UEFA. Në finale, Atalanta kishte fituar 3:0 ndaj Bayer Leverkusenit të Granit Xhakës.
“Gjëja më e bukur që më ka ndodhur këtu është triumfi në Ligën e Evropës, që ka qenë qershia mbi tortë dhe gjëja më e rëndësishme që e kam arritur në karrierën time. Do të kujtohem si djaloshi me punë të madhe që kam dhënë gjithçka për këtë fanellë dhe për këtë qytet", ka theksuar Gjimshiti.