Futboll

Reagimi i Gjimshitit – pas dështimit ndaj Interit, shpallet më i mirë në fitoren ndaj Romës

Berat Gjimshiti

(KD) – Më 28 dhjetor, Berat Gjimshiti kishte paraqitje të zbehtë. U vlerësua fajtor për humbjen 1:0 të Atalantas nga Interi, ndërsa pas ndeshjes kërkoi falje.

Tjetër fytyrë kapiteni i Shqipërisë shfaqi të shtunën mbëma. Ishte më i miri në fitoren 1:0 të Atalantas ndaj Romës. Në fund, mbrojtësi i qendrës e mori edhe çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes.

Atalanta shënoi fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 18-të të Serie A.

Trajneri i Atalantas, Raffaele Palladino, i doli në mbrojtje Gjimshitit pas paraqitjes së dobët ndaj Interit. Ndërkohë ia dha rastin edhe ndaj Romës. Kjo e ka gëzuar mbrojtësin e qendrës.

“Kam menduar për këtë. Ishte përfundimisht dëshpëruese për disa ditë. Ne të gjithë bëjmë gabime. Jam munduar ta motivoj veten dhe të jap çdo gjë në stërvitje. Kam shpresuar se trajneri nuk do të më largoj nga formacioni. Jam mirënjohës që më vendosi në fushë. Kam dashur të shfaq vlerat e mia”, ka thënë Gjimshiti për DAZN.

Ai ka theksuar se fitorja ndaj Romës është dëshmi që skuadra po shkon në drejtimin e duhur.

“Është fitore shumë e rëndësishme. Jemi grup i bashkuar. Na është dashur një fitore ndaj skuadrave të mëdha, por jo vetëm ndaj tyre. Këta tifozë e meritojnë këtë fitore dhe ne të gjithë luajtëm mirë. Kemi hyrë në fushë të përkushtuar dhe të gjithë e kemi dashur këtë fitore. Po i marrim ndeshjet një nga një dhe më pas do ta shikojmë tabelën. Jemi të vendosur që të luajmë në këtë nivel”, ka theksuar Gjimshiti.

Atalanta i ka 25 pikë në mesin e tabelës, kurse synon daljen në Evropë. 32-vjeçari Gjimshiti luan rregullisht për Atalantan, tek e cila skuadër është për një dekadë. Kishte periudha huazimi tek Avellino e Benevento, por për shumë vjet është i padiskutueshëm në qendër të mbrojtjes së Atalantas. Me këtë skuadër e ka fituar Ligën e Evropës në vitin 2024, ndërsa me kuqezinjtë është paraqitur në Euro 2024.

Ai mori vlerësimin e trajnerit pas paraqitjes ndaj Romës.

“Pas gabimit ndaj Interit, Gjimshiti ka luajtur ndeshje të madhe. Atalanta asnjëherë nuk dorëzohet dhe vazhdimisht lufton”, ka thënë trajneri i Atalantas, Palladino.