Juventusi ka shënuar fitore të vështirë ndaj Venezias të dielën mbrëma, për të bërë vend në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.
Juves i duhej fitorja në xhiron e fundit të Serie A për të përfunduar në pozitën e katërt, që dërgon në Champions. Dhe skuadra e famshme fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Venezias.
Daniel Fila shënoi që në minutën e dytë për epërsinë 1:0 të Venezias. Kenan Yildiz barazoi në 1:1 në minutën e 25-të. Për 2:1 në të mirë të Juves shënoi Randal Kolo Muani në minutën e 31-të.
Por Venezia barazoi në 2:2 në minutën e 55-të. Realizator ishte Ridgeciano Haps.
Golin e fitores për Juventusin e shënoi Manuel Locatelli në minutën e 73-të nga penalltia.
Juventusi përfundoi në vendin e katërt me 70 pikë, katër më pak se Atalanta e vendit të tretë. Atalanta të dielën pësoi 3:2 nga Parma.
Venezia mbeti e parafundit me 29 pikë dhe bie në Serie B.
Ishte Roma që shpresonte në dështimin e Juventusit për të dalë në zonën Champions. Roma fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Torinos, me golat e Leandro Paredesit dhe Alexis Saelemaekersit. Roma përfundoi e pesta me 69 pikë dhe do të paraqitet në Ligën e Evropës në edicionin e ardhshëm.
Lazio humbi 1:0 nga Lecce dhe ra në vendin e shtatë. Nuk do të luajë në Evropë. Dështimin e Lazios e shfrytëzoi Fiorentina, që me fitore 3:2 ndaj Udineses doli në vendin e gjashtë dhe do të luajë në Ligën e Konferencës.
Lecce me fitoren ndaj Lazios siguroi mbetjen në Serie A. Përfundoi e 16-ta me 34 pikë, sa i ka edhe Parma në vendin e 17-të. Edhe Parma shpëtoi.
Ylber Ramadani e Medon Berisha startuan te Lecce në ndeshjen vendimtare. Lecce gjithë pjesën e dytë luajti me një lojtar më pak në fushë, por arriti fitoren e mbijetesës.
Nga Serie A largohet edhe Empoli i Ardian Ismajlit. Empoli përfundoi në vendin e 18-të me 31 pikë. Empoli humbi 2:1 nga Verona. Ismajli e kompletoi ndeshjen e fundit të edicionit.