Norvegjia e Zvicra luajtën baras 0:0 në ndeshjen miqësore të zhvilluar të martën mbrëma në Oslo.
Por paraqitja e të dyja ekipeve mbeti në hije të fushës. Pati kritika të shumta për gjendjen e keqe të fushës. Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland kërkoi falje për gjendjen e fushës.
Për fushën foli edhe mesfushori i Zvicrës, Ardon Jashari.
“Në përgjithësi nuk jam adhurues i justifikimeve. Por mendoj se nga lart dukej vetëm gjysma e asaj që ishte në të vërtetë”, tha mesfushori për mediumet zvicerane pas ndeshjes. “Ndonjëherë na lejohet të ankohemi edhe për diçka të tillë. Ishte vërtet e vështirë”.
Jashari luajti në pjesën e parë te Zvicra, kurse Granit Xhaka nuk ishte i përfshirë për këtë ndeshje. Ai është kursyer nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.