Situatë e pazakontë ka ndodhur me Cristiano Ronaldon dhe Përfaqësuesen e Portugalisë të mërkurën në Kopenhagë.
Përzgjedhësi Jorge Jesus ishte i bindur se Ronaldo do të stërvitet të mërkurën, një ditë para ndeshjes me Danimarkën. Por, kapiteni i Portugalisë u largua nga “Parken Stadium”, menjëherë pasi përfundoi konferenca dhe nuk stërviti.
41-vjeçari, sipas Jesusit, nuk ka refuzuar të stërvitet. Por, ka munguar shkaku i një lëndimi. Jesus ka thënë se Ronaldo ka bërë ushtrime në palestër.
Jesus ka deklaruar po ashtu se është pajtuar me Ronaldon parimisht që ai të mos luajë ndaj Norvegjisë apo Danimarkës për shkak të gjendjes fizike.
Të dielën në fitoren 2:1 ndaj Norvegjisë, Ronaldo mbeti në bankën rezervë. U ngrit për ngrohje në pjesën e dytë dhe e bëri këtë procedurë për afro 20 minuta, por nuk luajti fare.
“Unë jam trajneri. Nëse i them një lojtari që nuk do të luajë, atëherë ai nuk do të luajë. Nëse më duhet për 30 minuta, ai do të luajë, nëse jo, nuk luan. Asnjë lojtar nuk mund të më shtyjë për ta ndërruar vendimin. As ai dhe askush në futboll’, ka deklaruar Jesus.
Sipas mediumeve portugeze, Ronaldo ka stërvitur në hotel të mërkurën. Federata e Futbollit e Portugalisë nuk ka bërë ndonjë njoftim në lidhje me rastin.
“A-Bola” ka shkruar po ashtu të mërkurën në mbrëmje se kjo është dita e tretë që Ronaldo nuk ushtron me grupin. Dhe mund të largohet nga kampi i Portugalisë.
Marca: Cristiano Ronaldo largohet nga kampi i Portugalisë
Cristiano Ronaldo është larguar nga kampi i Përfaqësueses së Portugalisë dhe me aeroplanin e tij privat do të fluturojë në Madrid brenda pak orësh.
Kështu ka shkruar mediumi i fuqishëm spanjoll “Marca”, që e ka publikuar edhe një video të Ronaldos duke u larguar nga kampi.
Kapiteni i Portugalisë nuk është ndarë i kënaqur me trajtimin nga përzgjedhësi Jorge Jesus, pasi ai kishte folur për mungesën e tij në ndeshjen ndaj Norvegjisë dhe ndaj Danimarkës që luhet të enjten.
“Marca” ka shkruar se me këto ngjarje, periudha e Cristiano Ronaldos te Portugalia mund të ketë mbaruar.
Jesus ishte trajner i Ronaldos edhe tek Al Nassr. Ai ka thënë se nuk ka probleme me superyllin portugez.