Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, dy prej skuadrave kryesore që po luftojnë për titull kampioni këtë edicion në elitën e futbollit italian do të takohen këtë fundjavë.
Bëhet fjalë për Interin dhe Milanin, rivalët e qytetit, që do të ballafaqohen të dielën nga ora 20:45. Kjo ndeshje i takon xhiros së 12-të.
Rivaliteti mes Milanit dhe Interit filloi në vitin 1908, kur u luajt ndeshja e parë e dy ekipeve të Milanos. Ndeshja nuk u luajt në Itali. Ajo u luajt në Chiasso të Zvicrës, kurse Milani fitoi me rezultatin 2:1.
Ndeshja e parë zyrtare midis dy ekipeve u zhvillua në vitin 1909.
Pas 11 xhirove të luajtura këtë edicion, Interi e kryeson tabelën me 24 pikë. Dy pikë më pak ka Milani në vendin e tretë. 24 pikë ka edhe Roma që është në vendin e dytë.
Në vitin 2001 u regjistrua fitorja më e thellë në derbi.
Milani kishte fituar 6:0.
Interi ka fituar 11 nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ndërkohë Milani është i pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit kundër Interit.
“Kuqezinjtë” janë të pamposhtur në dhjetë ndeshjet e fundit në Serie A.
Në të gjitha garat, Interi ka shënuar 341 gola në derbi kundër Milanit, 19 më shumë se “rossonerët”.
Në total mes dy skuadrave janë zhvilluar 228 ndeshje. “Nerazurrët” prijnë me 85 fitore. Milani ka 74 fitore dhe 69 ndeshje nuk kanë dhënë fitues.
Ndërkohë kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, të shtunën nga ora 20:45 e pret Atalantan. Napoli ka 22 pikë në vendin e katërt. Atalanta është në pozitën e 13-të me 13 pikë.
Te Napoli luan kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, kurse tek Atalanta paraqitet kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti.