Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në finalen e Kupës së Botës për Klube. Këtë e konfirmoi të shtunën presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Gianni Infantino.
Në finale, të dielën nga ora 21:00, do të përballen Chelsea dhe Paris Saint-Germaini. Finalja zhvillohet në stadiumin “MetLife” në East Rutherford të New Jerseyt në SHBA.
“Presidenti Trump do të jetë në finale. Ai e do futbollin. Në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë, ka një top futbolli”, ka thënë Infantino.
PSG-ja kërkon ta fitojë Kupën e Botës për Klube për herë të parë. Chelsea e ka fituar në vitin 2021. Ky është versioni i parë i Botërorit të Klubeve me 32 pjesëmarrës.